E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitaminat, cilat ushqime i përmbajnë ato



Marrja e pamjaftueshme e vitaminave do të ketë si pasojë një shëndet shumë shpesh të prekshëm nga sëmundjet

Trupi ynë përdor vitaminat çdo ditë gjatë proceseve biokimike normale jetësore. Marrja e vitaminave të rekomanduara nga ushqimet ndihmon në lëshimin e energjisë nga trupi ynë dhe ndihmon në proceset e rritjes dhe regjenerimit të indeve.

Marrja e pamjaftueshme do të ketë si pasojë një shëndet shumë shpesh të prekshëm nga sëmundjet.

Vitaminat janë disa përbërës natyralë prezentë në pothuaj të gjitha ushqimet. Ndonëse në sasi të vogla, ato janë thelbësore për të gjitha funksionet e organizmit përfshi rigjenerimin e indeve dhe në mirëmbajtjen e shëndetit të njeriut.

Një shkencëtar polak i quajtur Casimir Funk (1884-1967) përdori për herë të parë termin “Vitaminë” pas zbulimit nga ana e tij të disa përbërësve thelbësorë në ushqime që janë themelorë në mirëmbajtjen e shëndetit.

Deri tani janë identifikuar 13 lloje: A, C, D, E, K si dhe 8 të grupit B.

Grupi i B complex përfshin: Thiamina (B1) Riboflavin (B2) Niacine (B3) Acid Pantothenic (B5) Pyridoxina (B6) Cyancobalamina (B12) Acidi folik(Folacin folate) dhe Biotine (H).

Ndarja

Vitaminat janë të ndara në dy grupe: të tretshme në ujë dhe të tretshme në yndyra. Të tretshme në ujë (vitamina C dhe Bcomplex) janë lehtësisht të absorbueshme nga indet trupore. Trupi i njeriut nuk mundet t’i ruajë apo t’i akumulojë vitaminat e tretshme në ujë, kështu që marrja e tyre ditore është e domosdoshme për të plotësuar nevojat. Vitamina B12 bën përjashtim nga ky rregull. N.q.s. marrja e saj ka qenë e menjëhershme, mëlçia mundet ta ruajë atë për disa muaj.

Vitaminat e tretshme në yndyra (A, D, E dhe K) absorbohen nga ushqimet në përgjithësi dhe ato të yndyrshme në veçanti. Ato mund të ruhen në mëlçi për një kohë të gjatë kështu që marrja e tyre në një dozë të vetme është e mjaftueshme.

Vitamina D dhe niacina B3 mund gjithashtu të prodhohen nga organizmi, por në sasi të vogla, kështu që serish lind nevoja e marrjes së tyre nga rrugë të jashtme.

Vitaminat vetë nuk çlirojnë energji. Vitaminat ndihmojnë në konvertimin e ushqimeve në energji, për të cilën trupi ka nevojë që të qëndrojë ngrohtë, aktiv dhe i shëndetshëm. Kështu që njerëzit që marrin një dietë të pabalancuar, mund të vuajnë nga lodhja dhe infeksione të shpeshta virale dhe bakteriale, prandaj marrja e vitaminave dhe elementeve të tjera mund të ndihmojë në ruajtjen e energjisë së nevojshme.

Vitaminat nuk kanë vlera kalorike dhe nuk janë burim energjie, sidoqoftë vitaminat ndihmojnë trupin të përdorë ose të lëshojë energjinë prezente në ushqime. Disa vitamina mund të kenë një mbulesë sheqeri e cila mund të japë 1 calori ose maksimum 2.

Kozmetikë

Vitamina A, E dhe panthenol janë shumë të rëndësishme për shëndetin e lëkurës. Vitamina A përmirëson regjenerimin e qelizave të lëkurës. Vitamina E ndihmon në mbrojtjen kundër efekteve negative të rrezeve ultra violet, redukton skuqjen nga ekspozimi dhe mban lagështirën e lëkurës. Panthenol si derivat i acidit panthothenik, mban lëkurën larg tharjes, qetëson inflamacionin dhe shton shkëlqimin dhe hollësinë e flokut.

Adoleshentët dhe të rriturit

Përse adoleshentët dhe mosha mbi 55 vjeç kërkojnë më shumë vitamina se të rriturit? Kësaj pyetjeje mjekët i përgjigjen duke thënë se vetë procesi i rritjes tek adoleshentet është një kohë kur trupi kërkon më shumë energji (kalori) si dhe një sasi më të madhe të vitaminave thelbësore si dhe të kripërave minerale. Megjithatë, duke ditur që një adoleshent konsumon sasi më të mëdha ushqimesh, pasi ai ha disa herë në ditë edhe jashtë vakteve dhe sidomos kur kjo dietë është e ekuilibruar, shtimi i vitaminave nuk është i nevojshëm. Por, n.q.s. një adoleshent është një “ngrënës i keq” (selektiv) për një kohë të gjatë, merret me sport apo han gjithmonë jashtë shtëpisë dhe sidomos e theksuar kjo te disa vajza që kërkojnë të mbajnë “linjat” marrja suplementare e vitaminave, është e këshillueshme të merren vitamina.

Shumë të moshuar kanë një interes të vogël (janë pa pretendime) për atë çka ata hanë. Kjo do të thotë se konsumojnë një dietë të varfër. Disa kushte të tjera si probleme dentare, gjendja financiare apo disa sëmundje të tjera shoqëruese si dhe rënia e aftësisë thithëse të zorrëve, në këtë moshë bëjnë që vitaminat të jenë të rekomandueshme për të pasur një shëndet të mirë.

Moshat e vjetra kanë një nivel të ulët të vitaminës D, pasi ato eliminojnë nga dieta disa ushqime që kanë këtë vitaminë si qumështi, veza etj. Po kështu, mundësia që ta prodhojnë vetë vitaminën D në organizëm është e pakët pasi dihet se rrezet e diellit janë një faktor i rëndësishëm në këtë proces dhe kjo moshë shpenzon shumë pak kohë në diell. Kështu që një shtim i vitaminës D është i nevojshëm për një shëndet të mirë.

Dietat

Gjëja e parë që përcaktohet në fillimin e një formule diete është të përcaktohet sa është sasia ditore e kalorazhit që ju do të merrni për të përballuar periudhën e dietës. Nga kjo varet dhe se do të duhet të merren vitamina shtesë apo jo. Shkencëtarët kanë parë një pamjaftueshmëri në vitamina dhe në minerale kur dieta ka më pak se 7600 kj ose aproksimalisht 1800 kalori.

Medikamentet

Përdorimi i disa medikamenteve mund të prishë balancën vitaminike në organizëm, duke ndryshuar mundësinë e absorbimit, përdorimit apo ruajtjes së vitaminave. P.sh. kontraceptivët oralë reduktojnë acidin folik, neomicina dhe kolestiramina prekin vitaminën B12, izoniacidi prek vitaminën B1, laksativet siç është vaji mineral prekin gjendjen e vitaminës A, E dhe D. Për të gjitha këto duhet të këshilloheni me mjekun.

Duhet të dihet se nuk ka një rregull absolut, pasi varet nga marrja individuale dhe toleranca. Në përgjithësi vitaminat e tretshme në ujë, siç janë vitamina C dhe B kompleks mund të merren në sasi deri në 100 herë më të madhe se sasia ditore e rekomanduar. Ndërsa vitaminat e tretshme në yndyra, siç janë vitamina A dhe D konsiderohen të sigurta në sasi më të vogla. Kështu, vitamina A konsiderohet e sigurt deri në 10 herë më shumë se doza ditore e rekomanduar, ndërsa vitamina D deri në 5 herë.

Produktet që përmbajnë vitamina

Vitamina A

Gjendet tek gjalpi, e kuqja e vezës, dhe qumështi i pastër (pa modifikim yndyre). Vetëm 15 g gjalpë, një vezë dhe një copë djathë, sjellin 1/2 e masës së rekomanduar ditore.

Sipas ekspertëve vitamina A ndihmon në pastrimin e akneve. Sipas disa studimeve që janë bërë në të rinj meshkuj apo femra, u pa që një kurë me vitaminë A kuroi shenjat e akneve dhe parandaloi krijimin e akneve të reja. Por, që të bëhet një regjim i plotë për problemin e aknesë, nuk mjaftojnë vetëm frutat apo perimet që e përmbajnë atë, por duhet konsultuar një specialist/mjek për trajtimin e nevojshëm.

Vitamina B3 ose PP

Gjendet në mëlçinë e kafshëve, mishi dhe peshku, perimet dhe cerealet komplete. Vetëm 100 g mish p.sh., sjellin 1/2 e masës së rekomanduar ditore.

Vitamina B5

Gjendet në produktet shtazore (si dhe vitamina B3) tek mishi, mëlçitë e kafshëve, por dhe tek veza, buka komplete dhe frutat e thata. Gjithashtu, majaja e birrës është shumë e pasur me vitamina B3 dhe B5, të cilat janë shumë të mira dhe për shëndetin e flokëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›