E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për hapjen e kutive, flasin krerët e partive

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi në fjalën e tij në mitingun e opozitës theksoi se hapja e kutive është një kërkesë e pakthyeshme. Sipas tij Berisha kërkon të bëhet pronar i shqiptarëve duke e futur vendin në një tunnel pa shpresë për të ardhmen.
Sipas Ruçit prova e krimit elektoral është e fshehur në ato kuti që kërkohen të mos hapen.
"Ne jemi këtu në kauzën për lirinë e votës. Jemi sot, nesër dhe pasnesër për t'i thënë jo vrasjes së shpresës, për ti dhënë jo atij që na vrau shpresën për të jetuar" theksoi Ruçi.
Ndërkohë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se Shqipëria nuk ka një lidership vizionar që ta çoje vendin në Bruksel, pasi drejt Bashkimit Europian shkohet vetëm me transparencë. "Ne duam një shtet të së drejtës së lirë", theksoi Dule duke shtuar se se nëse nuk hapen kutitë duhet t'i hapet rrugë vullnetit të popullit për zgjedhje të parakohshme.
Ndërkaq lideri i PDS-së Paskal Milo, kërkoi zgjedhje me rregulla loje, me arbitër të besueshëm dhe jo nga kriminelë të liruar nga burgjet.
Ai shtoi gjithashtu theksoi se Shqipëria ka nevojë për zgjidhje dhe jo për formula kompromisi. Ai shtoi gjithashtu se është kërcënuar liria e votës se shqiptarëve dhe kjo është një gjë e patolerueshme.
Ndërkohë në fjalën e tij Kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi ka theksuar se shqiptarët kanë votuar për largimin e Berishës. "Kriza jonë nuk është për mospjesëmarrjen e opozitës në Kuvend por nga korrupsioni i kësaj qeverie" theksoi Gjinushi. Sipas Gjinushit hapja e kutive i hap rrugën lëvizjes së lirë të shqiptarëve duke theksuar se mbetja e Shqipërisë si vend ii fundit në rajon për liberalizimin e vizave u morr në 28 qershor. Ai shtoi gjithashtu se Berisha po i mban mbyllur ashtu siç mban mbyllur edhe dosjet e sigurimit.
Kreu i PLD-së Spartak Ngjela ka theksuar se kryeministri Berisha kërkon ta kthejë Shqipërinë në një dinasti të familjes së tij. Ngjela duke e cilësuar kryeministrin Berisha si e keqja më e madhe e këtij vendi theksoi se ai urren popullin e tij sepse nuk e sundon dot atë.
"Nga ky shesh do të vijojmë të ndeshemi me vetë barbarinë që është e gjithë qeverisja që po ndërmerret sot në Shqipëri" theksoi Ngjela
Ai gjithashtu theksoi se është koha që t'i dilet përpara vendit për të jetuar të lirë duke shtuar se në kutitë e mbyllura qëndron e mbyllur liria e shqiptarëve nga tirania.
Ndërsa kreu i G 99-ës Erion Veliaj ka theksuar se Berisha ka frikë të hap kutitë e votimit sepse e di shumë mirë që në ato kuti fshihet e vërteta e votës. Gjithashtu Veliaj ka theksuar se kjo qeveri ka përdorur të gjitha mashtrimet për të frikësuar njerëzit të mos vijnë në protestë. "Ne i themi Berishës se nuk na tremb as ministri i tij i cili thekson se ka rrezik për gripin e derrit sepse derrat e vërtetë ndodhen në atë qeveri" theksoi Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›