E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për ilegalët

Në shenjë pakënaqësie me largimin e antenave të operatorëve ilegalë mobilë në Kosovë, qindra serbë të Graçanicës dhe Shtërpcës protestuan. Ata kërkuan kthimin e këtyre operatorëve. Ndërprerja e linjave telefonike, për ta, është politike dhe e cilësuan si një katastrofë për serbët e kësaj ane. Protesta është organizuar nga i ashtuquajturi Qark i Kosovës dhe ndodhi pas mënjanimit të transmetuesve ilegalë të telefonive mobile serbe. Protestuesit kishin organizuar edhe një shfaqje, ku thyen telefonat. Drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë në Graçanicë, Rada Trajkoviç, tregoi se protestën e organizuan për shkak të veprimeve të Qeverisë, e cila sipas saj, në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim, dëshiron të dëmtojë edhe ashtu të dëmtuar, komunitetin serb.

“Me veprimet e fundit janë duke ndërprerë komunikimin e ndërsjellë të serbëve”, tha Trajkovic. Në anën tjetër, kryetari regjional për Prishtinë, i emëruar nga strukturat paralele, Goran Arshiç, deklaroi se shumë herë institucionet e Kosovës janë munduar t’i izolojnë serbët e Kosovës, por shpeshherë nuk kanë pasur sukses. Sipas tij, ndërprerja e telefonisë mobile është katastrofë elementare.

“Vazhdojnë më tutje, nuk lejojnë të komunikojmë dhe na vendosin në izolim të plotë, me ndërprerjen e telefonisë mobile, e cila është një lloj i katastrofës elementare për serbët e Kosovës dhe është me qëllim e shkaktuar nga ana e Prishtinës”, ka thënë Arshiç.

Në anën tjetër, për drejtuesit e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, heqja e antenave ilegale ishte një aksion i suksesshëm. Ai u përshëndet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij institucioni, ky është hap ligjor dhe nuk është i drejtuar kundër asnjë etniteti apo shteti të veçantë, por ndaj të gjithë atyre operatorëve që nuk i kanë respektuar normat ligjore në fuqi. Lidhur me kërcënimet e Beogradit që janë bërë për ndërprerjen e internetit, kjo nuk shihet si ndonjë problem, sepse, siç thonë ata, operatorët legalë në Kosovë kanë alternativa të tjera.

Kryetar i Bordit të ART-së, Ekrem Hoxha tha se ky aksion ka pasur shtrirje në gjithë territorin e Kosovës, duke mos përjashtuar edhe pjesën veriore. Ai theksoi se është arritur efekti i këtij operacioni, duke dobësuar në masë të madhe sinjalin e operatorëve ilegalë. Menjëherë pas mënjanimit të antenave ilegale serbe, në veri të Kosovës, nga persona ende të panjohur, janë demoluar dy antena të telefonisë mobile IPKO dhe një e telefonisë Vala, ku u janë shkaktuar humbje të mëdha.

Telefonia mobile IPKO, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se përkundër dëmeve në pronën e saj, IPKO-ja do të ofrojë të gjithë spektrin e saj të produkteve dhe shërbimeve, në çdo kënd të vendit dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Për vite me radhë, IPKO-ja ka bërë shumë për komunitetin dhe tërë shoqërinë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe qytetarët serbë dhe minoritetet e tjera”, thuhet në komunikatën e saj. E, telefonia publike Vala ka shpërndarë mbi 2 mijë e 500 sim kartela në duart e konsumatorëve nëpër enklava. Krejt falas. Kjo ofertë është cilësuar si e shkëlqyer, duke u mundësuar të gjithë konsumatorëve të operatorit Vala qasje dhe vazhdimësi të komunikimit anekënd Kosovës. Ky veprim i operatorit Vala, jo vetëm që u ka ofruar një produkt të ri dhe shumë të volitshëm të gjithë konsumatorëve të saj, në një anë, por ka bërë që të ketë ngritje të trafikut për 4.5 për qind krahasuar me vikendet e kaluara, nga ana tjetër.

“Kemi vërejtur se ka një interesim shumë të madh të të rinjve të komunitetit serb që të pajisen me sim kartela të Valës”, tha Shyqyri Haxha, kryeshef ekzekutiv i PTK-së.

Sipas tij, menaxhmenti i PTK-së dhe ai personalisht, është duke bërë përpjekje maksimale me Monaco Telecomin, që mundësisht për një kohë të pacaktuar, këtyre konsumatorëve t’u ofrohen thirrje të roamingut - pra thirrjet prej Valës drejt operatorëve të tjerë serbë, në territorin e Serbisë - që këto tarifa të zvogëlohen, mundësisht me një çmim shumë të volitshëm dhe atraktiv.

Pos telefonisë mobile e operatorëve ilegalë, në Kosovë është dëmtuar edhe telefonia fikse dhe interneti, të cilët janë mundësuar përmes mikrovalorëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›