Protesta për lirinë e shprehjes. Arrestohen 100 opozitarë
është rreth 100 numri i personave të arrestuar në Moskë një ditë më parë gjatë protestave të zhvilluara në sheshin “Triumfalnaya”, për lirinë e shprehjes. Manifestuesit, rreth 200 veta, ishin mbledhur siç bëjnë gjithmonë në fund të çdo muaji në mbrojtje të nenit 31 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e manifestimeve paqësore. Për të qetësuar sheshin u desh ndërhyrja e 172 agjentëve dhe 200 ushtarëve që arritën ta shpërndanin protestën. Policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arrestimet, por ka akuzuar disa nga manifestuesit e agresionit. Sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve ruse, “Ria Novosti”, mendohet se disa agjentë kanë marrë plagë të lehta. Mes 80 personave të arrestuar që përfunduan në pranga ishte edhe Boris Nemtsov, ish-zëvendëskryeministër në kohën e Boris Jeltsinit, që më pas u bë një eksponent i rëndësishëm i opozitës. Shumë mendojnë se një nga shkaqet e arrestimit të Nemtsovit ka të bëjë me faktin se ai së bashku me Vladimir Milov është autori i një libri shumë të kritikuar ndaj Kryeministrit Vladimir Putin. Rreth 100 mijë kopje të librit që doli muajin e kaluar u sekuestruan menjëherë nga policia. Ai tregon të vërtetën rreth marrëdhënieve jo të sinqerta mes Kryeministrit Putin dhe Presidentit Dmitri Medvedev. Edhe më parë Boris Nemtsov është ndëshkuar për sjelljet e tij antikonformiste.
#