E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Të disiplinojmë Presidentin me ligj

Mazhoranca shprehet pro hartimit të një ligji organik për kreun e shtetit

Mazhoranca qeverisëse po shikon mundësinë e hartimit të një ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës, duke nisur edhe nga debatet e fundit mes PD-së dhe kreut të shtetit për dekretet e anëtarëve të gjykatave. Sinjalin pozitiv për këtë nismë, e cila kërkon një shumicë të cilësuar votash, prej 84 deputetësh, e dha dje anëtari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi. Sipas tij, ndonëse kompetencat e Presidentit përcaktohen qartë në Kushtetutë, ky institucion është i vetmi i cili nuk ka një ligj organik për rregullimin e shumë aktiviteteve që ai drejton. “Për çdo lloj institucioni, i cili është kushtetues, ka një ligj organik, i cili rregullon veprimtarinë e tij. I vetmi organ në Republikë që nuk ka ligj për organizimin dhe funksionimin e tij është ai i Presidentit të Republikës. Kjo nuk do të thotë që Presidenti nuk ka kompetenca, të cilat janë të ndara në ligje të ndryshme. Por ka praktika europiane të cilat kanë një ligj të veçantë për veprimtarinë e Presidencës”, thekson Viktor Gumi. Duke parë përfitimet praktike që vijnë nga një ligj i tillë, pro tij shprehet edhe nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço. Sipas tij, ky ligj mund të rregullojë shumë aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së Presidentit, duke shmangur konfliktet e panevojshme që mund të lindin si pasojë e shtrirjes së kompetencave të Presidentit në disa ligje. “Ky ligj nuk do të ishte zgjidhje vetëm për Presidentin, por edhe për institucionet e tjera që lidhen me të. Aty do të përcaktoheshin me afate të qarta dhe konkrete gjithçka në lidhje me çështjen e dekreteve të kreut të shtetit”, thekson Nasip Naço. Por për këtë nismë të rëndësishme, është me peshë të veçantë edhe qëndrimi i opozitës shqiptare. Dy vjet më parë, sekretari i çështjeve ligjore në PS-së, Fatmir Xhafa, propozoi një nismë të tillë, si të domosdoshme për reformën në sistemin e drejtësisë. Sipas nenit 6 të Kushtetutës, organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë, rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur me të parashikohet ndryshe. Ky nen nuk është zbatuar vetëm në rastin e Presidentit të Republikës. Në vend, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit janë miratuar ligje për të gjitha institucionet kushtetuese, të cilat në përgjithësi plotësojnë standardet e saj, por pse jo, deri tani, për Presidentin e Republikës nuk është miratuar një ligj konkret. Konstitucionalistët janë të mendimit se një ligj i tillë në radhë të parë do t’i interesonte më shumë institucionit të Presidentit të Republikës, që çdo kompetencë të Kushtetutës ta kishte materializuar në ligjin konkret për të, me qëllim që ligjet e zakonshme në bazë të të cilave zbërthehen disa kompetenca të tij, siç autorizon neni 92 i Kushtetutës, të mos përplaseshin me këtë ligji organik. Nga ana tjetër një ligj i tillë do ta bënte më transparente dhe të përgjegjshme detyrën dhe funksionet e Presidentit, por edhe do të shmangte përpjekjet e politikës apo të mazhorancave të veçanta për të zbehur kompetencat e Presidentit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›