E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha censuroi spotin për të zhdukur imazhet e Shinasi Ramës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se Sali Berisha ka iniciuar internimin e dy mjekëve, dhe sipas Ramës kjo është një histori që njihet nga shumë njerëz. Rama tha se nuk mund të përmendë emrat e dy mjekëve, pasi sipas tij ata nuk kanë e autorizuar për t'i përmendur.

Në emisionin "Ora e Debatit" të gazetarit Alfred Peza, kryetari i PS foli për krizën politike, bojkotin parlamentar të opozitës, për protestat e opozitës si dhe për akuzat që kryeministri Berisha ka lëshuar në adresë të Ramës dhe familjarëve të tij.

Rama tha dje se aksioni politik i opozitës do të jetë i përqendruar në protesta masive në të gjithë vendin, me moton "Hap kutitë ose largohu". Në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Berisha, sipas të cilave, Rama ka kërkuar të bashkëqeverisë me Berishën, Rama u shpreh dje se nuk i kishte kërkuar në asnjë moment Berishës kompromis. I pyetur për bojkotin parlamentar dhe rrezikimin e mandateve të 65 deputetëve socialistë, kryetari i PS-së tha dje se mandatet e 65 deputetëve nuk do të digjen, dhe kjo çështje sipas tij do të zgjidhet në kohën e duhur. Kreu i opozitës ka sqaruar se opozita nuk ka artikuluar asnjëherë fjalën mosbindje civile apo rrëzim të pushtetit me dhunë, por sipas Ramës kjo është servirur nga kryeministri Berisha, të cilin Rama e quajti leninist, stalinist, enverist.

Duke akuzuar kryeministrin Berisha dhe mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama tha dje se arbitri ndërkombëtar thotë që procesi i numërimit është bërë keq në 1/3 e tij.

I pyetur nëse opozita i druhet një skenari sipas të cilit mazhoranca vendos të shpallë zgjedhje të parakohshme pas liberalizimit të vizave, Rama u shpreh se nuk do t'i druhej në asnjë rast zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i PS-së Edi Rama foli dje edhe për 8 Dhjetorin dhe festimet e paralajmëruara nga mazhoranca demokrate për këtë përkujtim të rënies së sistemit komunist në Shqipëri. Rama tha se 8 Dhjetori është një ditë shumë e rëndësishme, dhe se lëvizja demokratike kishte nisur pikërisht në Institutin e Arteve. Rama tha se në kohën kur studentë e pedagogë ishin në protesta kundër komunizmit, Berisha kishte teserën e Partisë së Punës në xhep dhe vinte si korrier i diktaturës te studentët duke iu kërkuar të shkojnë në mësim.

"Nuk jam penduar asnjë sekondë të jetës time që u largova aty për aty nga PD-ja në vitin 1990, për mënyrën se si do të katandisej ajo parti. Pashë spotin televiziv për festimet që po organizon kryeministri dhe mazhoranca e tij. Në ditët e para të transmetimit, ishte në mes të të tjerëve edhe Shenasi Rama, një prej njerëzve më aktiv të atyre viteve të rrëzimit komunist në Shqipëri, por pasi ai dha një interviste në një media, dhe ku foli për të vërtetën e zhvillimeve të viteve '90, në spotin televiziv të ditëve të fundit ishte fshirë fytyra e Shenasi Ramës, njësoj siç bënte Enveri me armiqtë e "kllasës"," tha Rama.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›