Protesta të reja në Athinë kundër programit të kursimeve
Forca të policisë greke janë përleshur me protestuesit në Athinë, pasi këta të fundit kishin rrethuar një grup oficerësh dhe kishin nisur të talleshin me ta, të fishkëllenin e të hidhnin gurë gjatë një demonstrate të zhvilluar të martën. Protesta u organizua nga unioni ADEDY ku bëjnë pjesë disa degë të sektorit publik, nga unionet e mësuesve, ndaj masave drastike të ndërmara nga qeveria Papandreu. Pas një marshimi proteste të organizuar kundër programit të kursimeve të qeverisë në Athinë, ku morën pjesën rreth 2.000 grekë, para selisë së parlamentit u regjistruan përleshje mes policisë dhe demonstruesve. Policia qëlloi me granata verbuese kundër një grupi të rinjsh, të cilët kishin qëlluar më parë me gurë. Protestuesit kanë ngritur zërin ndaj policisë duke kërkuar që të largoheshin nga vendi ku zhvillohej manifestimi ndërsa tre persona u ndalën nga forcat policore pikërisht për reagimin e tyre duke qëlluar me gurë. Duke parë reagimin e ashpër të manifestuesve, policia ka përdorur edhe sprai me piper ndaj turmës ADEDY ka organizuar një sërë protestash muajin e fundit lidhur me paketën e masave të marra nga qeveria për të përballur krizën buxhetore. Në protesta u përfshinë një sërë sektorësh duke bërë që jeta në vend të paralizohej disa herë. Pjesë e këtyre masave janë ngrirja e pensioneve, reduktimi i pages së 13 dhe te 14, shkurtimi i rrogave, etj. ADEDY njoftoi se do të zhvillohen të tjera protesta edhe ne vijim. Ndërkaq mbetet e paqartë se si do t'i vijë në ndihmë BE-ja Greqisë së përfshirë nga kriza. Pjesa më e madhe e anëtareve të BE-së janë për kredi bilaterale, të cilat në rast nevoje mund t'i jepeshin Athinës kundrejt interesit dhe primit të riskut. Pas një takimi në Bruksel të ministrave të financave të eurozonës mbeti e hapur çështja se kur dhe në ç'masë do t'i jepen kreditë Greqisë.