Shtëpia e Enver Hoxhës, qendër muzealo-turistike
Sipas projektit të bashkisë, disa prej dhomave do jenë mjedise studimi dhe eksplorimi për specialistët
GJIROKASTËR- Një qendër shumëdimensionale e profilit muzealo-turistik. Kjo mendohet të jetë e ardhmja e shtëpisë së lindjes së ish-udhëheqësit komunist shqiptar Enver Hoxha në lagjen "Palorto" të qytetit të gurtë. Projekti, nismë e ndërmarrë nga bashkia duket se ka në qendër të tij thithjen e një numri të madh turistësh, për të cilët çdo gjë që lidhet me Hoxhën në këtë qytet paraqet mjaft interes dhe shtëpia në Gjirokastër, do të shndërrohet mjaft shpejt në një qendër të re muzeale etnografike.
Një qendër e konceptuar ndryshe nga të tjerat. Këtë kanë në mendje ideatorët e shtëpisë së ish- diktatorit. "Duke qenë se Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore prej më tepër se dy vjet, lind nevoja e krijimit të një qendre etnografike e rikonceptuar në një mënyrë ndryshe nga të tjera. Disa prej dhomave të shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës, do të shërbejnë edhe për mjedise studimi dhe eksplorimi për specialistët, që do të jenë të interesuar të eksplorojnë rreth gjurmëve të etnografisë shqiptare",- është shprehur në lidhje me këtë projekt përgjegjësi i zyrës së trashëgimisë kulturore dhe turizmit në bashki, Odise Kote.
Po sipas Kotes banesa do të përshtatet në një qendër rekreative shumëdimensionale çka do të sjellë një paraqitje të re në mozaikun e vlerave në Gjirokastër.
Shtëpia e lindjes së Hoxhës, një godinë 3-katëshe e vendosur në lagjen "Palorto" daton qysh në shekullin e XIX-të. E ndërtuar gati një shekull më parë, në vitin 1913, kur Hoxha ishte 5 vjeç digjet aksidentalisht dhe në vend të saj për gati 54 vjet deri më 1967 mbetën gërmadhat. Nga ky incident fatal shpëtuan vetëm një qilim e një jorgan, të cilat më vonë nga familja Hoxha iu dhuruan muzeut të qytetit si dhe sahati i famshëm shekullor, që iu dhurua gjimnazit "Asim Zeneli" nga vetë Enver Hoxha. Gjatë rindërtimit të shtëpisë nga shteti në vitin 1967, u grumbulluan në të, të gjitha karakteristikat më të mira të një shtëpie tipike gjirokastrite, duke filluar që nga tavanet, sergjenët, dollapët në mur, papafingot etj.
Pas rindërtimit ajo kthehet në muzeun e luftës nacionalçlirimtare për qarkun e Gjirokastrës, status të cilin e mbajti deri në vitin 1991. Përveç armëve në këtë banesë kanë qenë të reklamuara edhe sende personale që familja Hoxha i kishte dhuruar. Ka qenë një ndër 7 muzetë e Gjirokastrës si dhe ndër më të frekuentuarit nga vizitorët.Në vitin 1997 një sasi eksplozivi e dëmton pjesërisht atë dhe vetëm pas shumë kohësh ajo u rikonstruktua, duke u kthyer në muze etnografik dhe vazhdon të funksionojë si i tillë deri më sot.
Përgjatë shumë viteve anëtarëte Partisë Komuniste të Gjirokastrës kanë kërkuar që shtëpia të kthehet ashtu si ka qenë në muze të luftës antifashiste, kërkesë kjo që nuk është marrë asnjëherë parasysh.