E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta,Veliaj: LSI po bën opozitën e opozitës

Edhe kreu G99, një ditë pas protestes maratonë të opozitës falenderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që dhanë mbështetjen e tyre me daljen në shesh. Veliaj sulmoi LSI-në duke thënë se po përpiqet të bëjë opozitën e opozitës. 

TIRANE- Edhe kreu i lëvizjes G99 një ditë pas protestes maratonë të opozitës falenderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që dhanë mbështetjen e tyre me daljen në sheshin Skënderbej. Përmes një konference për gazetarët, Veliaj shprehu mirënjohjen për qytetarët që ju bashkuan protestës së djeshme.
“Sot jemi pafund mirënjohës për të gjithë ata mijëra qytetarë që dolën dje për të protestuar, për të rifituar dinjitetin, për të dëshmuar që dimë të rrëzohemi dhe të ngrihemi bashkë. Përpara një viti u rrëzuam të gjithë bashkë me atë që ndodhi në Gërdec dhe dje u ngritëm të gjithë bashkë në protestë”u shpreh kreu i G99.
Erion Veliaj theksoi se protesta e tyre tregoi qartë se shqiptarët kërkojnë dhe mbështesin ndryshimin, ndërsa sulmoi LSI-në duke thënë se po përpiqet të bëjë opozitën e opozitës.
“Së bashku me qytetarët dje fituam dy beteja, betejën kundër qeverisë private të zotit Berisha por dhe kundër partisë private të zotit Meta. Ajo që treguam dje ishte që bashkimi qytetar është shumë herë më i fortë sesa grupimet private të politikës” tha Veliaj. (e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›