“Shqipëria përfiton këtë verë liberalizimin e vizave, tashmë në fokus do të jetë Kosova”
Raportuesja për Shqipërinë në PE Tanja Fajon, thotë se në vëmendje të Brukselit duhet të jetë edhe shteti më i ri i Ballkanit
“Shqipëria do të përfitojë vendimin e Komisionit Evropian, për lëvizjen e lirë të shtetasve të saj në hapësirën “Schengen”, që në fund të muajit maj”.
Kështu është shprehur nga Ljubjana, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Tanja Fajon.
Gjatë një ligjërate të mbajtur në qendrën e studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor, IFIMES, në Lubjanë, Fajon ka deklaruar se Shqipëria do të firmosë “Schengen”-in që në muajt e verës.
Pas mesazheve inkurajuese të zyrtarëve të lartë të Brukselit, gjatë takimeve me kryeministrin Sali Berisha, për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, eurodeputetja Fajon, thotë se Brukseli nuk do të vonojë më vendimin për hyrjen e Shqipërisë në zonën “Schengen” ndërsa gjithashtu bën thirrje se politika e Unionit duhet të fokusohet edhe në shtetin më të ri në Ballkan, në Kosovë.
“Në fund të këtij muaji do të jepen vlerësimet e ekspertëve të KE-së, dhe nëse gjithçka do të jetë në rregull, në fund të majit do të jetë gati propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Të dy vendet kanë shënuar progres të dukshëm. Ne ishim në Shqipëri dhe ndoqëm nga afër punën që ishte bërë në drejtim të plotësimit të kushteve të udhërrëfyesit për vizat. Dy qershori do jetë dita e së vërtetës për Shqipërinë për të arritur liberalizimin e vizave. Qëndrim i Bashkimit Evropian është për heqjen e vizave gjatë kësaj vere. Por, krahas këtij zhvillimi, ne duhet të gjejmë një zgjidhje dhe për njerëzit në Kosovë. Kosova nuk mund të konsiderohet si një vrimë e zezë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili nganjëherë duket si mozaik”, është shprehur europarlamentarja Tanja Fajon.
Kësisoj, në fjalën e saj, eurodeputetja sllovene është shprehur edhe njëherë kundër ndasive në rajonin e Ballkanit, duke shprehur kështu angazhimin institucional të Brukselit, për një zgjidhje të drejtë të çështjeve të integrimit në rajon.
“Me ndarjet në shtete të mira dhe të dobëta rrezikojmë ndarje edhe më të mëdha dhe jostabilitet në rajon. Duam që nga kjo verë të heqim vizat, për Shqipërinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, dhe kemi bërë thirrje që sa më parë të gjejmë zgjidhje edhe për njerëzit në Kosovë”, ka deklaruar më tej, Fajon.
Ajo ka vlerësuar se përgjegjësia e arritjes së këtij momenti madhor, është e vetë lidërve të vendeve përkatëse, Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës. Por, Fajon nuk ka lënë pa përmendur edhe problemet e dy vendeve. Duke u ndalur te situata politike në Shqipëri, Fajon tha se kapërcimi i ngërçit do të shërbejë si një shtysë e justifikueshme për BE, që të përshpejtojë vendimin. Ndërsa në një intervistë për të përditshmen boshnjake “Nezavisne Novine”, ajo ka deklaruar se Bosnje Hercegovina, ka ende probleme serioze, duke u shprehur kështu pesimiste për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj që këtë verë.
Ndonëse ministri i Jashtëm spanjoll, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE, Moratinos, tha në fillim të kësaj jave se vendimi për heqjen e vizave që do të merret në 2 qershor, krahas Shqipërisë duhet të përfshijë në bllok edhe Bosnje Hercegovinën, Fajon bëri të ditur se vlerësimi do jepet në bazë të meritës.
Edhe “Earth Times”, shkruan duke iu referuar burimeve nga Brukseli se Shqipëria ka të gjitha mundësitë të përfitojë lëvizjen e lirë për qytetarët e saj, brenda verës. Për këtë e përditshmja britanike citon edhe ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Francës, Franco Frattini dhe Bernard Kouchner, të cilët vetëm 3 ditë më parë janë shprehur ‘pro’ heqjes së vizave për Shqipërinë.
Ky solemnitet i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, iu shpreh edhe kryeministrit Sali Berisha gjatë vizitës së tij dy ditore në Bruksel, ku dorëzoi Pyetësorin.
Megjithatë aprovimi zyrtar i Brukselit, do jepet gjatë këtij muaji, përmes Komisionit Evropian, për të përcjellë më tej, vendimin për heqjen e vizave më 2 qershor.
L. Q.