E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat kundër “Wall Street”-it, ose Populli kundër policisë

02-11-2011 / Nga Naomi Wolf

Politikanëve amerikanë, me sa duket, u ka ardhur demokracia në majë të hundës. Anembanë vendit, policia, duke vepruar nën urdhrat e zyrtarëve lokalë, është duke ndaluar protestat e zhvilluara nga mbështetësit e lëvizjes “Occupy Wall Street” (OWS) (Pushtoni  Uoll Stritin) - me një dhunë tronditëse dhe krejtësisht të panevojshme.
Në incidentin më të rëndë deri më tani, qindra policë, të veshur me uniformat e tyre të posaçme për raste trazirash, rrethuan vendin e protestuesve në Oakland, duke gjuajtur me plumba gome (të cilat mund të jenë fatale), duke hedhur granata dhe bombola gaz lotsjellëse. Ajo cka shkruhet në Twitterin e “Occupy Oakland” ngjan si një raport nga Sheshi “Tahrir” në Kajro: "ata po na rrethojnë", "qindra e qindra policë", "ka makina të blinduara", “ka 170 të arrestuar”.
Arrestimi im i fundit, ndërsa po u bindesha kushteve të lejes, duke qëndruar në mënyrë paqësore në një rrugë të Manhattanit, tregoi realitetin e kësaj goditjeje. Amerika është duke kundërshtur atë që u ndërtua ndërkohë që ajo flinte: kompanitë private kanë krijuar një polici të tyren (JPMorgan Chase i dha $ 4.600.000 Fondacionit të Policisë së qytetit të New York-ut), Departamenti Federal i Sigurisë Kombëtare u ka dhënë forcave të vogla komunale të policisë sisteme armësh të gradës ushtarake; të drejtat e qytetarëve për lirinë e fjalës dhe të grumbullimit janë penguar nga kërkesat për leje.
Papritmas, Amerika duket si ajo pjesë tjetër e zemëruar dhe gjysmë e lirë e botës. Në të vërtetë, shumica e komentuesve nuk e kanë kuptuar plotësisht se po shkaktohet luftë kudo në botë. Por kjo luftë është ndryshe nga çdo luftë tjetër që ka ndodhur në historinë njerëzore: për herë të parë, njerëzit në mbarë botën nuk po identifikohen dhe organizohen sipas linjave të tyre nacionale ose fetare, por më tepër në kushtet e një vetëdije globale dhe të kërkesave për një jetë të qetë, një të ardhme të qëndrueshme , drejtësi ekonomike dhe demokraci themelore. Armiku i tyre është një “korporatokraci” globale që ka blerë qeveritë dhe ka krijuar përforcimet e saj të armatosura, të angazhuara në mashtrim sistematik ekonomik, duke grabitur thesaret dhe ekosistemet.
Në të gjithë botën protestuesit paqësorë janë duke u demonizuar, duke u quajtur destruktivë, shkatërrues. Por demokracia është “shkatërruese”. Martin Luther King, Jr., argumentonte se shkatërrimi paqësor i biznesit gjithmonë ishte i shëndetshëm, sepse ai nxirrte në pah padrejtësitë e fshehura, të cilat pastaj mund të adresoheshin diku. Protestuesit teorikisht duhet t’i përkushtohen përballjes me realitetin në mënyrë të disiplinuar dhe jo të dhunshme. Kjo shërben për të mbajtur provokatorët nën kontroll dhe për të nxjerrë në pah reagimin e padrejtë të policisë së militarizuar. Për më tepër, lëvizjet protestuese nuk kanë sukses në një orë ose një ditë, ato zakonisht "pushtojnë" zonat për një rrugë të gjatë. Kjo është arsyeja pse protestuesit duhet të mbledhin para për të punësuar avokatët e tyre. “Korporatokracia” e ngritur është e tmerruar pasi qytetarët po kërkojnë sundimin e ligjit. Në çdo vend, protestuesit duhet të kenë një “ushtri” me avokatë.
Protestuesit duhet gjithashtu të kenë median e tyre. Ata duhet të shkruajnë nëpër blogje, në twiter, të shkruajnë editoriale dhe njoftime për shtyp, si dhe të dokumentojnë rastet e abuzimit të policisë (dhe abuzuesit). Për fat të keq ka shumë raste të dokumentuara të provokatorëve të dhunshëm, të infiltruar mes demonstruesve në vende si Toronto, Pitsburg, në Londër, dhe Athinë - njerëz të cilët një grek i përshkroi si "të panjohur të njohur". Provokatorët, gjithashtu, duhet të fotografohen dhe të shfaqen në rrjet. Për këtë arsye është e rëndësishme të mos e mbulojmë fytyrën kur protestojmë.
Protestuesit ndër demokraci duhet të krijojnë lista e-maili në nivel lokal, të kombinuara me listat në nivel kombëtar dhe të regjistrojnë votuesit . Ata duhet t’u tregojnë përfaqësuesve të tyre se sa votues kanë regjistruar në çdo rreth - duke u organizuar kështu për të larguar politikanët, të cilët janë brutalë dhe represivë dhe për të mbështetur ata që respektojnë të drejtën e fjalës së lirë e të tubimit - si në Albany a New York, për shembull, ku policia dhe prokurori vendor nuk pranoi të godiste protestuesit.
Shumë protestues insistojnë për të mos pasur një lider, gjë e cila është e gabuar. Një udhëheqës nuk është e thënë që të ulet në majë të një hierarkie: një udhëheqës mund të jetë një përfaqësues i thjeshtë. Protestuesit duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për një qëllim të caktuar, ashtu si në çdo demokraci, për t’i përgatitur ata flasin për mediat dhe të negociojnë me politikanët.
Protestat duhet të modelojnë atë lloj shoqërie civile që pjesëmarrësit e tyre duan të krijojnë. Në Parkun Zuccotti në Manhattan, për shembull, gjendet një bibliotekë dhe një lokal, ku ushqimi është falas, fëmijët mund të flenë aty, dhe gjithashtu mësimi është i organizuar. Muzikantët duhet të sjellin instrumentet e tyre, dhe atmosfera duhet të jetë e gëzueshme dhe pozitive. Protestuesit duhet ta pastrojnë vetë vendin ku ata mblidhen para se të largohen. Ideja është që të ndërtojmë një qytet të ri brenda qytetit të korruptuar, duke treguar që kjo është ajo që duan pjesa më e madhe shoqërisë dhe që kjo pjesë e shoqërisë nuk është ajo margjinale dhe shkatërruese siç mendohet.
Pas të gjithash, ajo që është më e rëndësishme në lidhje me këto lëvizje protestuese nuk janë kërkesat e tyre, por një infrastrukturë e përbashkët njerëzore që po lind. Për dekada me radhë, qytetarëve u është thënë të ulin kokën – edhe pse jetojnë në një botë  konsumiste përtej fantazisë apo në varfëri rëndë – të ulin kokën dhe t’ia lënë udhëheqjen elitave. Protesta është transformuese pikërisht sepse njerëzit dalin, ndeshen me njëri-tjetrin ballë për ballë, dhe, duke ri-kujtuar traditën e lirisë, ndërtojnë institucione të reja, marrëdhënie të reja dhe organizime të rija.
Asgjë nga këto që thamë nuk mund të ndodhë në një atmosferë dhune  politike dhe policore ndaj protestuesve paqësorë demokratikë. Ashtu siç pyeti edhe Bertolt Brecht në mënyrë shkëlqyeshme, duke ndjekur  shtypjen brutale që po i bënin komunistët e Gjermanisë Lindore  punëtorëve që protestuan në qershor 1953," A nuk do të ishte më lehtë  ... për qeverinë që të “hiqte” këtë popull që kishte  dhe të zgjidhte një tjetër? " Në të gjithë Amerikën dhe në shumë vende të tjera, udhëheqësit e supozuar demokratikë duket se  pyetjen ironike  të Brecht-it po e marrin shumë seriozisht.

Naomi Wolf është aktiviste politike dhe kritike sociale.
Marrë nga Project-syndicate.com

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›