Manipulime të dallueshme në videon kundër Metës
Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit, një ditë pas dëshmisë së ekspertëve, i kujtojnë opinionit publik se video-manipulimi u konfirmua se pjesë e një komploti dhe skenari aferash politike, në dëm të mazhorancës
Avokati mbrojtës i ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, Petrit Serjani reagoi dje ndaj deklaratës së ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti sipas të cilit, tre ekspertët, para se të publikonin ekspertizën e video përgjimit në Gjykatën e Lartë, janë takuar me avokatët mbrojtës të Ilir Metës.
Duke i cilësuar të pavërteta dhe të keq-sajuara pretendimet e Priftit, avokati Serjani deklaroi se do të marr hapat e nevojshme ligjore që do ta vënë para përgjegjësisë ligjore të Dritan Priftin. “Jo vetëm që nuk është e vërtetë që jam takuar me të tre ekspertët në ambientet e kafe ‘Europës’ por jam përpjekur që të kryej detyrën time të mbrojtjes si avokat dhe ta përmbush detyrën time në respekt të etikës dhe disiplinës ligjore. Me ftohtësinë logjike unë do të marr hapat e nevojshme ligjore që do ta vënë para përgjegjësisë ligjore të Dritan Priftin”, deklaroi Serjani.
Më tej, Spartak Braho, konsulenti juridik pranë avokatëve të Ilir Metës, pohoi se ekspertët që dhanë vlerësimin e tyre për video-përgjimin Meta-Prifti janë të specializuar, mjaft profesionalë dhe se ata konstatuan ndërhyrje e manipulim të saj.
Spartak Braho, theksoi se “përfundimet e arritura nga ekspertët shqiptarë janë të njëjta me përfundimet që ka arritur eksperti amerikan, që ka të bëjë me faktin që në orën që pretendohet që janë bërë këto filmime nuk ka filmim Meta-Prifti”.
Braho tha se “u konstatuan 9 ndërhyrje që lidhen me të famshëm tik-tak të orës, veçanërisht në pjesët e nxehta të asaj bisedës të pretenduar ku tik-taku nuk ishte në origjinalitet por siç shprehet grupi i ekspertëve ishte i ngjeshur, i mbivendosur që i çoi ata në konkluzionin e ndërhyrjes dhe manipulimit të kësaj videoje e cila mendohej se ishte videoja origjinale e bisedës”.
Ai evidentoi se ka edhe gjurmë të tjera të ndërhyrjeve që padyshim është një rrethanë e cila që dëshmon që Dritan Prifti nuk tregohet i sinqertë dhe i takon organeve të prokurorisë që të hetojnë edhe këtë rrethanë të mbulimit apo të simulimit të një situatë të paqenë duke prekur vetë provën.
Duke përfunduar, Spartak Braho, konsulenti juridik pranë avokatëve të Ilir Metës deklaroi se kjo video nuk ishte asgjë tjetër veçse pjesë e një komploti dhe një skenari aferash politike.
Duke sqaruar konkluzionet e ekspertizës së paraqitur një ditë më parë në Gjykatën e Lartë për video përgjimin Meta-Prifti, Braho tha se, “të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me një vijë dhe qëndrim qorrsokak ku ka hyrë Prifti dhe vërtetojnë se kjo çështje ngrihet mbi manipulimin e pastër dhe një skenar që përbëjnë një aferë dhe komplot me ngjyra politike, ku më vonë në do paraqesim fakte për këtë skenar”.
Ndërsa një ditë më parë Dritan Prifti deklaroi se do të kërkonte një ekspertim të pavarur nga ekspertë të vendeve perëndimore, Braho tha se, “kjo është një çështje që nuk është në vullnetin tonë dhe as të Dritan Priftit. Ai do të ketë rast tjetër për të kërkuar ekspertë për veten e tij”.