Rrëzohet propozimi i Topit - PD 11 vota kundër
Komisioni parlamentar i Ekonomisë shqyrton kandidaturën për kreun e KLSH-së
Mazhoranca në komisionin parlamentar të Ekonomisë rrëzoi të martën dekretin e Presidentit të Republikës, që propozonte Sali Shehun për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Me akuza dhe qëndrime të qarta kundër Presidentit të Republikës është shoqëruar prezantimi i Sali Shehut si kandidatura e propozuar për të kryesuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në përfundim të debatit, me 11 votat e deputetëve të Partisë Demokratike, 1 abstenim, ndërkohë që deputetët e Partisë Socialiste të opozitës nuk morën pjesë në votim, kandidatura e propozuar nga Kreu i Shtetit nuk u pranua për të drejtuar institucionin e KLSH-së për një mandat 7-vjeçar.
Deputetët e djathtë e argumentuan rrëzimin e kësaj kandidature me faktin se ai nuk përmbushte kriteret profesionale për të kryer këtë funksion.
“Ju jeni anëtar i PD dhe neni 13 ka një pikë që thotë papajtueshmëria është me të qënit anëtar i qeverisë, i një organizate partie apo partie politike”, tha Flamur Noka, deputet i PD-së. “Mendimi i mazhorancës është që nga pikëpamje profesionale kandidatura juaj do të ishte shumë e mirë për një fushë tjetër por jo në fushën e kontrollit ekonomik dhe financiar. Arsye tjetër që ka të bëjë me konsultimet e presidentit me Parlamentin në emërimet e kandidatëve për organe kushtetuese. Dhe ne si mazhorancë mendojmë se presidenti nuk e ka respektuar këtë kërkesë të gjykatës kushtetuese”, u shpreh Edmon Spaho, kryetari i Komisionit të Ekonomisë.
Gjithashtu, mazhoranca në komisionin e Ekonomisë u shpreh se Presidenti Bamir Topi duhej më parë të konsultohej me Kuvendin përpara se të propozonte Sali Shehun në postin e kryetarit të KLSH-së.
Nga ana e tij deputeti i opozitës Andsi Harasani, ka ironizuar kandidaturën e Sali Shehut.
“Mesa kuptova unë zoti Shehu qenka një individ shumë i mirë, shumë i aftë, njeri të cilit duhet ta kishit shumë në PD por nuk doni që ky njeri kaq i mirë, kaq i aftë, kaq i përkushtuar ndaj punës të drejtojë një institucion të pavarur, dhe aq të rëndësishëm siç është KLSH”, tha Andis Harasani, deputet i PS-së
I pranishëm në mbledhjen e djeshme të komisionit kandidati Sali Shehu nënvizoi se KLSH duhet të jetë e pavarur nga qeveria, ndërsa paraqiti projektet e tij për drejtimin e këtij institucioni.
Në përfundim të debateve, deputetët e PS-së refuzuan të votojnë për dekretin, pasi sipas tyre kjo procedure ë propozuar është në shkelje ligjore. Ata thanë që vota do të jepet në seancë plenare. Mazhoranca me 11 vota kundër dhe 1 abstenim hodhi poshtë dekretin e Presidentit.
Sipas Kushtetutës, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Kryetari i KLSH-së zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Dekreti i Presidentit vjen pas përfundimit të mandatit 7 vjeçar të kryetarit të KLSH-së, Robert Çeku.