E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumani: Presidenti Basesku fiton zgjedhjet

BUKURESHT- Presidenti aktual i Rumanisë Trajan Basesku ka fituar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Byroja Qendrore e Zgjedhjeve tha se Basesku, i cili i përket qendrës, ka fituar mbi 50.3 % të votave, ndërsa rivali i tij i majtë Mirçea Xhoana, 49.6 %.

Kreu i misionit vëzhgues të OSBE-së, Vadim Zhdanoviç, tha se votimi ishte “në përgjithësi” në vijën e standardeve të organizatës. Ai u bëri thirrje autoriteteve që “pa vonesë“ t’i hetojnë raportet për parregullsi.

Pas shpalljes së rezultateve zyrtare, presidenti i rizgjedhur Basesku i falënderoi në mënyrë të veçantë votuesit rumunë nga diaspora.

Baseskun e pret emërimi i qeverisë, e cila do t’i rifillojë bisedimet e ngecura me Fondin Monetar Ndërkombëtar për huanë prej 20 miliardë eurove.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›