Ferrara: Ndaj Bajernit është si një finale
TORINO- Champions League zhvillon të martën 8 ndeshje të turit të fundit në grupe, ku ajo që bie në sy është super përballja mes Juventusit dhe Bajernit të Mynihut në Torino. Bardhezinjtë kanë 8 pikë pas 5 ndeshjeve të para, 1 më shumë se bavarezët, kështu që atyre u mjafton vetëm një barazim për t’u kualifikuar. Bajerni do të jetë me mungesa të rëndësisshme si ajo e Frenk Riberi, por sërish mbetet i frikshëm. “Është një finale, dua të shoh në fushë të njëjtën skuadër që mundi Interin”, deklaroi trajneri i Juventusit Çiro Ferrara në prag të këtij takimi. Dy ekipet luajnë për vendin e dytë, duke qenë se Bordoja e Loran Blank është e kualifikuar si skuadra e vendit të parë. “Bajerni është një skuadër e madhe, e mësuar të fitojë dhe të jetë e rëndësishme në këto nivele. Për më tepër do të kenë në fushë që nga minuta e parë Robenin”, shtoi trajneri bardhezi. Problemi kryesor për Ferrarën në prag të kësaj ndeshje është qendra e mbrojtjes. Xhorxhio Kielini nuk ia ka dalë mbanë të rekuperohet nga dëmtimi i pësuar me Interin dhe në vend të tij do të luajë Legrotalje. Ndërkohë në dyshim është edhe portieri Bufon, që ka pësuar një frakturë në menisk në ndeshjen me Interin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)