E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat ne Siri 112 te vdekur. Qeveria forcon represionin

Brenda pak orësh bilanci i viktimave në Siri shkon në 112 të vdekur, sipas burimeve nga vendgjarja e raportimeve të dëshmitarëve të represionit në Facebook në një faqe të quajtur “revolucioni sirian”. Megjithatë protestat nuk ndalen e të tjera tubime janë raportuar për sot.

Regjimi i presidentit të Sirisë Bashar al-Assad po përdor dhunën brutale kundër lëvizjes opozitare. Numri i të vrarëve gjatë protestave të fundit është rritur në mënyrë dramatike ndërsa e premteja shënoi ditën më të përgjakshme, që prej fillimit të protestave kundër regjimit të Assadit, para një muaji.

Forcat policore kanë përdorur kundër demonstruesve gaz lotsjellës dhe armë zjarri. Ndërkohë që snajperistët kanë qëlluar prej çative të shtëpive. Sipas dëshmitarëve pjesa më e madhe e viktimave kanë humbur jetën të qëlluar nga armë zjarri, të tjerë për shkak të gazit lotsjellës e rreth 20 persona rezultojnë të zhdukur.

Dhuna e regjimit të Al Asad kundër demonstruesve ka shkaktuar indinjatë të thellë në mbarë botën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe respektimin e të drejtave të njeriut e presidenti amerikan Barack Obama kritikoi regjimin e Sirisë për dhunë brutale kundër demonstruesve.

Dhunën kundër demonstruesve e ka dënuar edhe Parlamenti Evropian ndërsa demonstruesit tani gjithjnjë e më tepër nuk kënaqen vetëm me reformat ë thella, por kërkojnë përmbysjen e regjimit.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›