E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë në Gjilan kundër zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja: Po copëtohet territori i të parëve

Gjilan, 17 tetor NOA-Lëvizja Vetëvendosja ka organizuar sot në Gjilan një demonstratë kundër zgjedhjeve lokale që sipas saj do të thotë copëtim i territorit të Gjilanit me komuna të reja në shërbim të zgjerimit të territorit të strukturave paralele serbe.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti ka deklaruar se decentralizimi është proces në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës por edhe në kundërshtim me vullnetin dhe idealin e atyre që ranë dëshmorë për liri.

Ne që jemi kundër këtij decentralizimi, nuk jemi kundër serbëve lokalë civilë  por kundër strukturave të Serbisë që e kanë qendrën në Beograd.

Kundër këtij decentralizimi privatisht janë deklaruar edhe serbët e Stanishorit e Kufcës së Epërme por ata nuk guxojnë prej njerëzve të Beogradit të flasin hapur. Sikurse edhe të gjitha eksperimentet e tjera që sunduesit e ndryshëm i kanë bërë në vendin tonë, edhe decentralizimi do të dështojë, madje edhe më shpejt sesa çmendohet.

Mirëpo, ne po humbasim shumë ndërkohë, po na kushtojnë shumë këto eksperimentime, tha Kurti.

Në protestë janë bashkuar banorët e fshatrave të Pasjakut, Stanishorit, Mogillës të cilët janë shprehur kundër daljes në zgjedhjet lokale, zgjedhje që sipas tyre kanë për qëllim legjitimimin dhe e zbatimin e decentralizimit.

 Ne nuk pranojmë që nga paralagjia e qytetit të Gjilanit nga i cili jemi larg 2 kilometra të bëhemi fshat i skajshëm i Komunës e Novobërdës në largësi prej 30 kilometrash.

Ne si lagje e banuar me shqiptarë jetojmë këtu qe 150 vjet dhe gjithmonë kemi qenë të lidhur me Komunën e Gjilanit kurse asnjëherë nuk kemi pasur asnjë lidhje me Novobërdën.

Andaj ne kundërshtojmë fuqishëm decentralizmin dhe do ti bojkotojmë zgjedhjet lokale, kanë deklaruar banorët.

Sipas Vetëvendosjes, të rrezikuar nga decentralizimi nuk janë vetëm shqiptarët në Kosovë por edhe ata në Luginë të Preshevës.

Decentralizimi në Anamoravë ia shkëput Luginës së Preshevës vazhdimësinë territoriale me Kosovën.

m.i/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›