E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë para Kuvendit, qëllohet me miell makina e Berishës

Atmosfera festive që kryeministri Berisha krijon kur shkon në rrethe të ndryshme për takime është prishur dje përballë zyrës së Kuvendit. Dy ish të përndjekur politikë kanë qëlluar me qese me miell makinën e kryeministri duke krijuar panik të rojet e sigurisë së shefit të ekzekutivit.

Ngjarja

Përpara se të hynte ne Parlament për të marrë pjesë ne seancën plenare, makina e Kryeministrit është qëlluar me disa qese mielli. Policia shoqëroi dy ish-të përndjekurit si autorë të këtij incidenti, Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku. Sipas dy ish-të burgosurve, ky ishte një akt për të kujtuar, se kreu i Qeverisë i ka lënë në gjendje të mjerueshme. Ata i kanë bërë thirrje, të gjithë të papunëve, pensionistëve dhe ish-të përndjekurve të protestojnë çdo të enjte përpara selisë së Parlamentit. “Të gjithë shtresat shoqërore që janë në nevojë dhe që janë të sforcuara nga ky shtet, të dalin dhe të kërkojnë të drejtat e munguara. Protesta jonë e sotme ishte një zë i ndërgjegjes mbarëqytetare sepse ne sot kemi vepruar si qytetarë. Nëqoftëse ngremë zërin ne si qytetarë, ne ia tregojmë vendin atij që po na shet si bagëti”, thotë Skënder Tufa, ish i përndjekur politik. “Kryeministri na ka lënë pa bukë, pa punë, pa marrë lekët e burgut. Ne dolëm në një revoltë të vogël dhe gjuajtëm me miell Kryeministrin që të kujtohet që ne jemi akoma gjallë. Nuk kam patur frikë Enver Hoxhën dhe nuk do të kemi frikë edhe tani që gjithë të kuqtë janë me poste”, thotë Agim Kollçaku, ish i përndjekur politik.
Kush janë 2 autorët
Emrat e tyre nuk janë të panjohur për policinë dhe mediat. Në 6 gusht të këtij viti, Agim Kollçaku dhe Skënder Tufa janë shoqëruar së bashku me 5 ish-të përndjekur të tjerë politikë për shkak të protestës të dhunshme që po zhvillonin para parlamentit. Ata kërkonin dhënien e dëmshpërblimeve si dhe të një trajtimi më të mirë social ndaj ish të përndjekurve politikë. Incidenti i djeshëm me autorë ish-të përndjekurit politikë pason atë të muajit Mars të këtij viti, kur 2 ish-të burgosur politikë qëlluan me grusht kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe njëkohësisht deputetin PD, z. Ilir Rusmajli. Tufa, kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë inkurajoi gjestin e kryer ndaj Rusmajlit, duke theksuar se ishte gjest i drejtë ndaj fodullëkut të politikaneve në qeveri që nuk interesohen për hallet e të persekutuarve politikë në kohën e monizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›