E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojnë nxënësit serbë: Kosova zemra e Serbisë

MITROVICË- Qindra nxënës serbë të shkollave fillore dhe të mesme nga veriu i Mitrovicës, kanë protestuar mesditen e sotme pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.

Me pankarta në duar “Jo forcave shqiptare të sigurisë”, “Kosova është zemra e Serbisë”, “Nuk e japim Kosovën” etj., dhe këngë me përmbajtje nacionaliste ato kanë bllokuar për gjysmë ore qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve nga të dyja anët e qytetit, raporton Kosovapress.

Përfaqësuesi i ministrisë së Arsimit të Serbisë, Predrag Stojqetovic, ka deklaruar për mediat vendase se nxënësit me këtë këtë reagim kanë dëshmuar se nuk duan kufi midis palëve, dhe se duan të mësojnë sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

“Ne do të protestojmë në vazhdimësi dhe për çdo ditë deri në realizimin e kërkesave tona”,- ka thënë Stojqetovic, duke paralajmëruar numër më të madh të protestuesve për shkak të interesimit të madh për pjesëmarrje edhe të prindërve.

Pas protestës raportohet se nxënësit janë kthyer të qetë nëpër shkolla dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërkohë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, kanë monitoruar këtë protestë për së afërmi.

Protesta të ngjashme të nxënësve janë organizuar në të njëjtën kohë edhe në Zveqan, Zubin Potok dhe Leposavic, si një nismë e ndërmarrë nga strukturat paralele në veri, të cilët u kanë kërkuar drejtuesve të shkollave të organizojnë protesta të tilla me orar të njëjtë nëpër komunat me popullatë shumicë serbe, si dhe të marrin masën e përjashtimit ndaj atyre që nuk i përgjigjen këtij organizimi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›