I duan varret kah Kibla
Dy familjeve Mziu nga fshati Marinë iu rikthye gëzimi tri vjet më parë. Atyre u erdhi lajmi se trupat e familjarëve të vdekur, që ishin të varrosur në varrezat e dëshmorëve në fshatin Polac, do t’u kthehen në fshat, shumë pranë shtëpisë.
Kështu, Komuna e Skenderajt, menjëherë pas këtij vendimi, nisi të ndërtojë kompleksin e varrezave të dëshmorëve në një kodër në hyrje të fshatit. Në një sipërfaqe të madhe, aty janë ndërtuar shumë varre, një pushimore dhe një lapidar. E gjitha ishte shumë e mirëpritur për Fatmir e Bahtir Mziun, që të dy familjarë të dëshmorëve.
Por, ka diçka që është duke i munduar ata tash tri vjet. Sipas tyre, asnjëra nga varrezat nuk është ndërtuar kah lindja, në drejtim të Kiblës, ashtu siç e do tradita e fesë islame.
Bahtir Mziu e ka njërin vëlla të varrosur në varrezat e dëshmorëve në Polac. Në kohën kur është marrë vendimi për zhvendosjen e trupave të dëshmorëve nga aty për në Marinë, ai nënshkroi një dokument, me të cilin u pajtua për zhvendosjen. Por, pakënaqësitë e tij nisën kur pa se si janë ndërtuar varrezat.
“Jam shumë i zhgënjyer me nderimin që i kanë bërë vëllait tim dhe dëshmorëve të tjerë. Asnjëri varr nuk është i kthyer kah Kibla”, thotë Bahtiri për Express.
Ai thekson se kurrë nuk do të pajtohet, me këtë padrejtësi që iu është bërë dëshmorëve. Por, pranon se vendimi është i Komunës, andaj nuk ka fuqi ta kundërshtojë.
“Ata që vendosën për këto varreza janë myslimanë dhe e dinë si shkon puna e varrimit. Nëse ata nuk kanë menduar se varri i një myslimani duhet të jetë në drejtim të lindjes, unë skam çfarë të bëj”, thotë Bahtiri.
Ai tregon se fshatarët kanë reaguar për këtë çështje që kur nisi ndërtimi i kompleksit. Por, ankesat e tyre askush nuk i mori parasysh.
“Pakënaqësia dhe kundërshtimi ynë është i kotë. Përveç nënshkrimit për miratim të bartjes së trupave nga Polaci, për të tjerat askush nuk na pyeti asgjë”, shpreh mllefin Bahtiri.
Fatmir Mziu po pret që në këto varreza t’i rivarros dy vëllezër dëshmor. Por, as ai nuk pajtohet me pozitën në të cilën janë ndërtuar varret.
Fatmiri është i vetëdijshëm se sa më afër shtëpisë të jenë varret, është shumë më mirë. Ai i ka gjallë prindërit, të cilët edhe pse në moshë, shumë shpesh marrin rrugën këmbë, për të vizituar varret e djemve në Polac. “Por, pavarësisht kësaj, unë nuk jam aspak i kënaqur me faktin që nuk janë respektuar traditat tona”, thotë ai. “Më mirë është t’i lënë në Polac, aty ku janë të varrosur tash e sa kohë, sesa t’i sjellin këtu e të mos i nderojnë veprat e tyre. Atje bile varret i kanë kah Kibla”.
Pavarësisht se shprehin kundërshtimin e tyre, asnjërit s’iu ka mbetur gjë tjetër vetëm të marrin pjesë në akademinë përkujtimore, për të cilën nuk dinë se kur do të mbahet. “Po thonë se gjithçka është gati që të zhvendosen trupat, por ndoshta po presin fushatën që të mbahet akademia, pasi që edhe kjo punë është politizuar”, thotë Fatmiri.
E zyrtarë komunalë thonë se nuk janë të informuar për këtë shqetësim të familjarëve të dëshmorëve. Fadil Ferati, nënkryetar i Komunës së Skenderajt, thonë se Komuna kurrë nuk ka marrë asnjë ankesë rreth ndërtimit të varrezave të dëshmorëve në Marinë. “Unë e di që është një problem me familjet rreth statusit të dëshmorit, por për punën e Kiblës kurrë nuk kemi pasur ankesë”, thotë Nura për Express.
Kompleksi i Marinës, i quajtur “Kompleksi Memorial i UÇK-së”, do të jetë vendvarrimi i të gjithë dëshmorëve të Drenicës. Aty pritet të prehen rreth 300 dëshmorë, të cilët do të zhvendosen nga varrezat e dëshmorëve në Polac dhe nga fshatrat tjera përreth. Zyrtarë të Komunës së Skenderajt gjatë kohës kur ka nisur ndërtimi i kompleksit patën marrë vendim që aty të rivarrosen vetëm mbetjet mortore të dëshmorëve me status të verifikuar.