E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit serbë kërkojnë lirimin e Milkoviç

Rreth 80 serbë kanë protestuar të martën në veri të Mitrovicës kundër arrestimit dhe mbajtjes së Jovica Milkoviç në paraburgim, që ishte arrestuar më 17 maj nga Policia e Kosovës për shkak të pjesëmarrjes së tij në shkatërrimin e kontejnerit të policisë në zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës.
 

Protestuesit rreth mesditës janë mbledhur tek ura kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa kanë vazhduar rrugën në drejtim të gjykatave, ku është i vendosur personeli i EULEX-it, nga të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Milkoviç.
 

Ndërkaq në duar mbanin flamuj të Serbisë, si dhe pankarta me mbishkrime për lirimin e të gjithë serbëve të pafajshëm.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Jovica Milkoviç, në mënyrë që ai të mbrohet në liri”, ka thënë para gazetarëve kryetari ilegal në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, duke paralajmëruar protesta për çdo ditë deri në lirimin e tij.
 

Ai ka biseduar edhe me përfaqësues të BE-së në selinë e këtij misioni që ndodhet në veri të Mitrovicës, dhe pastaj ka premtuar para qytetarëve se ka marrë premtime pozitive rreth lirimit të Milkoviç.Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›