SPS: Si Tadiç e Gjilas, të pranueshëm për Kryeministër
Nënkryetarja e Partisë Socialiste të Serbisë, Dijana Vukomanoviç ka deklaruar se kësaj partie “nuk i pengon” që në postin e kryeminsitrit të ardhshëm të jetë ose lideri i Partisë Demokratike, Boris Tadiç, ose zëvendësi i tij, Dragan Gjilas.
“Vendimin për kryeministrin nga Partia Demokratike duhet ta marrin organet e asaj partie. Bashkëpunimi në nivelin e liderëve të partive, Tadiç dhe (Ivica)Daçiç është treguar funksional dhe efikas. Gjilas po ashtu e ka treguar legjitimitetin dhe aftësinë e tij, por SPS nuk është ajo që vendos se kënd do ta kandidojë për kryeministër Partia Demokratike”, ka thënë ajo.
Para rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Tadiç dhe Daçiç patën arritur marrëveshje
për koalicionin qeverisës pas-zgjedhor.
Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të mbajtura më 6 maj, më së shumti vota në Kuvend ka fituar Partia Përparimtare e Serbisë, lideri i së cilës, Tomisllav Nikolliç u zgjodh edhe president.
E dyta është Partia e Tadiç, për t`u pasuar nga ajo e Daçiç.