E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit thyejnë dyert e Bashkisë së Tiranës, hedhin flakadanë brenda godinës

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Protestuesit janë zhvendosur mbrëmjen e sotme nga rruga e Durrësit tek bashkia e Tiranës, ku kanë qëlluar me gurë drejt godinës së saj dhe kanë shpërthyer derën.

Protestuesit në fillim kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, ku më pas kanë arritur që ta thyejnë derën, ndërsa kanë vijuar me hedhjen e gurëve drejt institucionit dhe ndezjen e flakadanëve.

Disa prej protestuesve janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka ndërhyrë policia, e cila ka larguar protestuesit nga godina.

Protesta e studentëve dhe qytetarëve nisi në ora 14:00, teksa prej fillimit ka patur studentë kanë goditur me gurë e sende të forta, fillimisht drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më tej Policinë.

Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, studentë dhe qytetarë vijuan qëndresën deri në orët e mbrëmjes. Gjatë vijimit të protestës, studentët u kanë vënë flakën kartonëve, koshave të mbeturinave, si edhe disa reklamave të vendosura përgjatë rrugës, si dhe kanë hequr kangjellat e vendosura përgjatë rrugës.

Protestuesit më tej u zhvendosën nga Rruga e Durrësit tek bashkia e Tiranës, ku kanë qëlluar me gurë drejt godinës së saj dhe shpërthyen derën e saj. Policia ndërhyri menjëherë për të shpërndarë protestuesit si dhe shoqëroi disa prej tyre.

Policia e Shtetit informoi se pas incidenteve të ndodhura janë shoqëruar 23 protestues për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërsa janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një gazetare.

Ndërkohë që në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›