E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit u vënë flakën kioskave dhe dëmtojnë biznese në disa rrugë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Të rinjtë protestues po vijojnë edhe në ditën e tretë të protestës me akt dhune dhe shkatërrim të hapësirave publike dhe bizneseve në Tiranë.

Pas tërheqjes nga zona e Ministrisë së Arsimit kanë ndezur zjarre me frigoriferët e kioskave që shkatërruan gjatë rrugës duke shkaktuar dëmtime në pronën publike dhe biznese.

Të rinjtë u rivendosën në fillim të rrugës së Durrësit në pjesën mbrapa Muzeut Kombëtar në Tiranë.

Po ashtu, protestuesit kanë shkulur edhe degët e pemëve duke i hedhur në zjarr.

Protestuesit po dëmtojnë edhe bizneset që ndodhen aty pranë, duke thyer xhamat e tyre.

Gjithashtu protestuesit kanë tentuar të sulmojnë edhe godinën e Partisë Socialiste dhe Bankës së Shqipërisë, por punonjësit e Policisë kanë hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre për t’i shpërndarë.

Situata paraqitet e tensionuar edhe në disa rrugë të tjera të Tiranës, të cilat lidhen me Rrugën e Durrësit, ku vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe policisë.

Ata kanë nisur të shkulin edhe kangjellat në qendër të Tiranës.

Protestuesit janë zhvendosur në sheshin “Skënderbej” duke u drejtuar drejt bashkisë së Tiranës. Të rinjtë po hedhin gurë drejt bashkisë, ndërsa Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tyre.

Më pas protestuesit kanë sulmuar edhe Teatrin e Kukullave duke goditur me gurë drejt godinës.

Në sheshin “Skënderbej” Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, të cilët tashmë janë duke qëndruar në shesh.

Protestuesit sulmuan dhe shkatërruan edhe mjediset e brendshme një banke të nivelit të dytë pranë sheshit “Ushtari i panjohur” në Tiranë.

Ata fillimisht sulmuan fasadën dhe bankomatin dhe më pas arritën të hynin edhe në mjediset e brendshme  duke shkatërruar çdo gjë që kishte brenda.

Të rinjtë mes të cilëve edhe me maska nxorën nga banka edhe dokumentet, të cilave më pas iu vunë flakën në rrugë.

Protestuesit po vijojnë të kryejnë akte dhune ndaj bizneseve pranë Tajvanit, duke thyer edhe xhamat e një banke të nivelit të dytë që ndodhet aty.

Ndërsa në hyrje të zonës së ish-Bllokut po ndodh një përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ku këta të fundit po hedhin gaz lotsjellës në drejtim të tyre. Protestuesit i kanë vënë zjarrin edhe kabinës së rojes pranë ish-ambasadës së Rusisë.

Protestuesit po ecin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po drejtohen drejt godinës së Kryeministrisë.

Dëmtime në rrugë e biznese në kryqëzimin pranë BSH, foto: Florian Abazaj 1 nga 17

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›