Proteza dhuratë për të sapolindurit
TIRANË - Fëmijëve që lindin me hipoakustikë, ose ndryshe probleme të dëgjimit, do t’u vihen proteza që pas daljes nga barku i nënës. Sipas studimeve, ky handikap vërehet në një në një mijë lindje në Shqipëri. Për këtë arsye, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mjekësisë me Xhanfranko Jakucin, koordinatorin e projektit MAGIS (Lëvizja dhe Veprimi i Jezuitëve Italianë për Zhvillim), marrëveshje që synon të reduktojë handikapin e mosaftësisë së dëgjimit të fëmijët nëpërmjet diagnostikimit në mënyrë të hershme të shurdhërisë fëmijërore. Sipas kësaj marrëveshjeje, 25 mijë të porsalindur në vit do të kontrollohen dhe diagnostikohen në vendin tonë. “Ky bashkëpunim do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe në rritjen e shëndetshme të fëmijëve shqiptarë”, theksuan përfaqësuesit e projektit MAGIS. Sipas specialistëve të MSH-së, vitet e fundit ka ardhur në rritje numri i të porsalindurve me handikapë të ndryshëm, ku përmendet si më e shpeshtë hipoakustika. Duke u bazuar në disa studimeve të kryera në Shqipëri lidhur me këtë çështje, në çdo 1000 të lindur, një foshnje është hipoakustik. Shkaqet e kësaj sëmundjeje mund të jenë të ndryshme. Sipas mjekëve italianë, shkaqet kryesore vijnë që nga moskontrolli i plotë i shtatzënisë, si dhe nga përdorimi pa kriter i barnave ototoksike në shtatzëni dhe më tej në moshën fëmijërore. Përfaqësuesit e projektit italian u shprehën se “diagnostikimi i fëmijëve që në momentin e lindjes së tyre, bën të mundur edhe përballjen me sëmundjen në hapat e para të saj. Në këtë mënyrë mund të merren masa për parandalimin dhe moslejimin e zhvillimit të mëtejshëm”. Mirëpo jo të gjithë qytetet e Shqipërisë do të jenë pjesë e këtij projekti. Mjekët italianë të projektit MAGIS synojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre në qytetet që kanë numrin më të madh të lindjeve, ku qyteti kryesor është Tirana. Numri i lindjeve në Shqipëri është rreth 45 mijë fëmijë në vit, prej të cilëve mbi 9 mijë lindin në Tiranë. Për këtë arsye mendohet që vëmendja të përqendrohet në Tiranë, si dhe në qytetet kryesore, si Durrësi, Fieri dhe Shkodra. Përfituesit e drejtpërdrejtë do të jenë rreth 25 mijë të porsalindur në vit, të cilët do t’u nënshtrohen ekzaminimeve diagnostikuese për shurdhërinë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, MAGIS do të diagnostikojë në mënyrë të hershme shurdhërinë fëmijërore, përmes testimit neonatal. Fëmijëve të prekur nga ky handikap do t’u vendosen proteza dhe do të fillojnë të ndjekin një program të përshtatshëm rehabilitues.