Protokoll partneriteti Kosovë – Shqipëri
Protokolli, i cili pritet të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm, do të orientonte fuqizimin e tërësishëm të raporteve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve si dhe do të kornizonte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në pikëpamje afatgjate, në të gjitha fushat.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me homologun shqiptar Edmond Panariti, ka folur për synimin e Kosovës dhe Shqipërisë për një partneritet strategjik më të ngushtë në të ardhmen.
“Ministria e Punëve të Shqipërisë, ka bërë një draft propozim të një protokolli të bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë, një protokoll, i cili përfshin në veten e saj një bashkëpunim ndërmjet dy vendeve në fushat ekonomike, arsimit, kulturës dhe turizmit dhe të dy ministritë tona kanë një rol aktiv dinamik. Ne në takim diskutuam edhe në rrafshin edhe përmbajtjesor edhe kohor se, si protokolli të nënshkruhet sa më shpejt dhe mbi të gjitha se si pas këtij protokolli, të ketë bashkëpunim konkret në fusha të caktuara të jetës mes dy vendeve”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Panariti, ka rikonfirmuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Shqipërisë për intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve me Republikën e Kosovës.
Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për hartimin të cilës tashmë janë krijuar edhe grupet koordinuese në dy ministritë e jashtme, pritet t’i japë një shtysë të fuqishme marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo marrëveshje pritet të finalizohet në janar të vitit të ardhshëm, kur edhe do të nënshkruhet nga dy ministrat e jashtëm, i Kosovës dhe i Shqipërisë.