E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolle me Serbinë edhe për doganat dhe gjykatat

Zyrtarët e EULEX-it kanë konfirmuar se bashkëpunimi i tyre me Serbinë do të zgjerohet edhe në fushën e doganave dhe të gjyqësisë.Por zëdhënësja e misionit të BE-së për sundim të ligjit, Karin Limdal ka thënë se nuk pritet nënshkrimi i shpejtë i këtyre marrëveshjeve.

“Marrëveshjet teknike në gjyqësi dhe dogana me Serbinë kanë qenë pjesë e bisedimeve, por nuk ka shenja se ato do të formalizohen tani”, tha zëdhënësja Limdal. Ajo theksoi se EULEX-i është i interesuar që të ketë bashkëpunim për polici, drejtësi dhe gjyqësi me të gjitha vendet e rajonit dhe se formalizimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit nuk po bëhet vetëm me Serbinë. Dy ditë më parë ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së, i dhanë mbështetje misionit të EULEX-it në nënshkrimin e marrëveshjeve me Beogradin që thuhet se kanë për qëllim kryesor luftimin e krimit të organizuar.

Misioni evropian ka thënë se do të vazhdojë bisedimet me autoritetet e Kosovës, të cilat janë shprehur kundër nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, pa përfshirjen e palës kosovare.
Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka dhënë një përgjigje të qartë kur është pyetur nëse Prishtina do të pranojë nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.

Ai ka përsëritur se institucionet e Kosovës do ta respektojnë Kushtetutën e vendit. “Diçka krejt tjetër janë çështjet teknike, diçka krejt tjetër janë ato politike, ne do ta respektojmë plotësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi rajonal me të gjitha vendet e rajonit nënkupton marrjen e përgjegjësive edhe nga ana jonë dhe këshillat e rekomandimet prej ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) dhe EULEX-it”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Megjithëse udhëheqësit kosovarë i kanë shpallur të mbyllura bisedimet me EULEX-in për çështjen e protokollit të debatueshëm mes misionit evropian dhe Beogradit, kryeministri ka përsëritur se bashkëpunimi i Prishtinës zyrtare me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë do të vazhdojë si edhe deri tani.

Formalizimi i marrëveshjeve për bashkëpunim ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit në fushën e policisë, drejtësisë dhe gjyqësisë pritet të bëhet më së largu muajin e ardhshëm, para se Komisioni Evropian të vlerësojë përmbushjen e kritereve nga ana e Serbisë për liberalizimin e vizave me BE-në. Një prej këtyre kritereve është edhe bashkëpunimi i Serbisë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, në kontrollimin e kufinjëve dhe luftën kundër krimit të organizuar e kontrabandës.  (BBC/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›