E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Të ngrihet Gjykata Administrative

Me miratimin e p/ligjiit, USAID do të punojë me qeverinë shqiptare dhe sistemin e drejtësisë për ngritjen e këtyre gjykatave, në kuadër të Marrëveshjes Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II. Në një takim konsultativ, zhvilluar sot paradite në Hotel Tirana, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqatave të biznesit në vendin tonë dhe drejtoresha e Misionit të USAID-it, në Tiranë, Roberta Mahoney, u kërkua që ky projektligj të përfshihet sa më parë në axhendën e parlamentit të ri.

"P/ligji Për Gjykatat Administrative ka për qëllim të krijojë një sistem që do të shërbejë si mekanizëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë shtetasve shqiptarë lidhur me çështjet administrative, përmes një procesi të rregullt e korrekt dhe brenda afateve të arsyeshme", tha znj. Mahoney . Sipas saj, krijimi i një sistemi efikas të Gjykatave Administrative do të shërbejë si një shtysë e fortë për përmirësimin e shërbimeve të administratës publike.

Për përfaqësuesin e Konfindustrias Gjergj Buxhuku, p/ligji vendos në pozita të barabarta shtetin dhe qytetarët për mosmarrëveshje administrative si dhe zgjeron pushtetin e sitemit gjygjësor lidhur me çështjet administrative, duke rritur në këtë mënyrë mundësinë për një gjykim më profesional e efikas. Në projektligj parashikohet edhe shkurtimi i kohës për gjykimin e çështjeve administrative nga 130 ditë në gjykatën e shkallës së parë në një maksimum prej 60 ditësh, si dhe shkurton në 10 ditë kohën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Administrative. 

Projektligji për GJA u përfshi në rend të ditës në seancën parlamentare me 11 maj, si dhe në atë të jashtëzakonshmen në datë 15 maj të vitit 2009. Deputetët socialistë nuk morën pjesë në këto dy seanca, prandaj dhe p/ligji nuk u hodh për votim. Hyrja në fuqi e këtij p/ligji, si një ligj organik, kërkon shumicë të cilësuar në Parlament që do të thotë 84 pro nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›