E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e Lirimit, nis hartimi i testeve për Gjuhë-Leximin

Nis sot hartimi i testit për provimin e parë të Lirimit, atij të Gjuhës shqipe dhe Leximit letrar, ku mbi 50 mijë nxënës të klasave IX do t’i nënshtrohen në datën 17 qershor. Sikurse për provimet e Maturës, edhe për ato të Lirimit, specialistët do të izolohen pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), për të hartuar modelin e këtij testi. Rreth 51 480 nxënësit e klasave IX do t’i zhvillojnë provimet e Lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor. Provimi i parë i Gjuhë-Leximit për të gjithë nxënësit do të jepet më 17 qershor, ndërsa ai i Matematikës më 23. Sipas rregullores, Provimet e Lirimit do të jepen vetëm me shkrim në një ditë të caktuar, ndërsa nxënësi që nuk arrin t’i kalojë ato me sukses herën e parë, i rijep në sesionin e dytë. Sakaq, datat për sesionin e dytë të provimeve të Lirimit janë: 26 gusht Gjuha shqipe dhe 29 gusht Matematika. Për sa i përket ambienteve ku do të zhvillohen provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që si mjedise të shërbejnë vetëm shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë që do të ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, prej hartuesve të testeve. Shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›