E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e Lirimit, si Matura Shtetërore



Në qershor, provimet për klasat e nënta

AVA sqaron mënyrën e dhënies së provimeve

Nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë, do të duhet të fillojnë të përgatiten për “mini-Maturën Shtetërore” që do të vendoset në jetë këtë vit. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, bën të ditur se këtë vit provimet e lirimit do të bëhen të qendërzuara, duke u menaxhuar nga ky institucion. Në këtë mënyrë, nxënësit e klasave të nënta do të kenë provim të njëjtë dhe korrigjimi i testeve do të kryhet nga persona jashtë shkollës ku ata mësojnë, duke i rritur besueshmërinë notës që nxënësi merr në këto provime.

Mini-Matura

Provimet e lirimit për nxënësit e klasës së nëntë deri tani zhvilloheshin në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, por të organizuara nga vetë shkollat. Në këtë mënyrë, nxënësit pyeteshin dhe vlerësoheshin nga mësuesit e tyre, duke e bërë këtë proces subjektiv, sipas Ministrisë së Arsimit dhe sipas Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve.

Për këtë arsye, është menduar që këtë vit, provimet të administrohen nga AVA dhe MASH-i, në mënyrë që të parandalohen abuzimet. “Suksesi i Maturës Shtetërore e bën më të lehtë procedimin me këtë sistem”, – bëjnë të ditur burime nga AVA. Sipas këtyre burimeve, ky vit do të jetë viti i parë i përdorimit të këtij sistemi për vlerësimin e nxënësve në shkollat nëntëvjeçare.

Procedurat

Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve i ka përgatitur tashmë dokumentet e nevojshme për nisjen e aplikimit të sistemit të ri për Provimet e Lirimit. Në këtë mënyrë, rregullorja, që do të jetë edhe dokumenti bazë mbi të cilin do të ngrihet ky sistem, është përgatitur dhe i ka kaluar për miratim Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Tashmë pritet vendimi i ministrisë për fillimin e procedurave të mëtejshme.

Provimet e Lirimit do të kryhen në muajin qershor, pra në të njëjtin muaj me provimet e Maturës Shtetërore, sipas AVA-s. Datat e provimit do të përcaktohen në një fazë të dytë, ku do të alternohen datat e provimeve të maturës shtetërore me ato të provimeve të lirimit. Ndërkohë, testet do të hartohen nga Agjencia me të njëjtën metodë që përdoret për hartimin e testeve të maturës. Mësues të përzgjedhur me short do të mbyllen në mjediset e AVA-s për të përcaktuar tezat, të cilat më pas do të shpërndahen vetëm në datën e provimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›