ISKSH lidh kontratat me farmacitë dhe depot farmaceutike
>Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor miratoi dje kontratat e reja të këtij viti me farmacitë dhe depot farmaceutike. "Për këto kontrata është negociuar me palët e interesit dhe është rënë dakord në të gjitha nivelet", bënë të ditur burime nga ISKSH-ja. Ky i fundit është i vetmi institucion shëndetësor që ka kontrata të mirëfillta me institucionet publike, apo private që ai mbulon.
Sipas ISKSH- së, këtë vit kontratat me farmacitë dhe depot farmaceutike janë përmirësuar më tej përsa i përket kontrollit të barnave, por duke pasur parasysh edhe kërkesat e sistemit farmaceutik. Sipas të njëjtave burime, së shpejti do të miratohen kontratat e reja me qendrat shëndetësore, si dhe ka nisur puna për përcaktimin e detajeve të kontratave me spitalet, të cilat do të hartohen rishtazi. "ISKSH-ja ka kontrata me farmacitë në të gjithë vendin dhe numri i tyre është në rritje vit pas viti, çka do të thotë që shtrihet akoma më shumë aksesi i shërbimit për popullatën që përfiton nga skema e sigurimeve shëndetësore", bënë të ditur burimet pranë ISKSH-së. Të gjitha farmacitë që plotësojnë kriteret kanë të drejtë të lidhin kontratë me ISKSH-në përveç disa rasteve specifike. Ndërkohë, ISKSH-ja konsideron se lidhja e kontratës me depot e barnave është tepër e rëndësishme për të realizuar kontrollin e mbyllur të shitjes (qarkullimit) të barnave të listës që rimbursohen. Sipas ISKSH-së, në të gjitha kontratat me subjektet farmaceutike kërkohet dorëzimi i të dhënave për qarkullimin e barnave që rimbursohen (shitje,blerje) në mënyrë elektronike.