Rrëfimi i një rasti të ngjashëm, por fatlum
Vetëm pak ditë më parë, në një prej të përditshmeve më të mëdha italiane, “Corriere della Sera”, aktori italian, Lino Banfi, publikoi një letër të hapur drejtuar ministrit italian të Kulturës, Sandro Bondi, dhe Kryeministrit Silvio Berlusconi, ku shprehte shqetësimin e tij të madh për kolegen, miken dhe aktoren e artisten “që na ka bërë të ëndërrojmë” (shkruan ai), Laura Antonelli. Jeton në varfëri, ushqehet me ato që i dhurojnë prej kishës, mbijeton me një pension të varfër... Sa për kujtesë të lexuesit, Laura Antonelli është bërë e njohur edhe në Shqipëri përmes filmave të ndryshëm, mbi të gjitha për rolin e nënës së personazhit Xhulia te seriali televiziv “Përgjithmonë Xhulia”. Ky është një rast i ngjashëm me atë të familjes së Petro Markos në Tiranë, por me një ndryshim: në Itali ka mjaftuar letra e një artisti të vetëm për të mobilizuar instancat më të larta shtetërore, për të pajisur me një pension të posaçëm aktoren e cila vuan në varfëri. Në Shqipëri, e kundërta. Apeli në ndihmë të Markove, vijon prej muajsh dhe shumë pak janë kujtuar për t’u ardhur në ndihmë. Edhe ato pak janë financime private, shteti vazhdon të heshtë, e të bëjë veshin e shurdhët. Ministri italian i Kulturës, z. Sandro Bondi, ka premtuar menjëherë ndërhyrjen e shtetit për gjendjen e aktores. Ministri ynë i Kulturës, z. Ferdinand Xhaferaj, vazhdon të heshtë. Kush e di arsyen? Vërtet i kushton kaq shumë qeverisë e shtetit shqiptar një ndihmë modeste ndaj familjes së një shkrimtari që kaq shumë u dha letrave shqipe? Aktorja italiane, Laura Antonelli, edhe pse ka zgjedhur të jetojë e vetmuar e të mos shfaqet më në publik, përmes avokatit të saj ka dërguar menjëherë falënderimet e saj. “Falënderoj Lino Banfin dhe të gjithë ata që u shqetësuan për mua. Do të më pëlqente të jetoja më qetë dhe në mënyrë më dinjitoze...”, ka thënë ajo. Edhe familjes së Petro Markos, bashkëshortes Safo, të birit Jamarbër dhe të bijës, Arianitës, do t’u pëlqente shumë të jetonin në mënyrë më dinjitoze e të qetë, kjo është e sigurt e mbi të gjitha e merituar. Antonelli, e cila ka fatin të jetojë në Itali, ku shteti nuk i harron ikonat dhe ata që kontribuuan për shoqërinë e vendin e tyre, me siguri që ato pak vite jetë që i kanë mbetur do t’i jetojë në paqe. Familja e Markove, të gjithë artistë e intelektualë, ende nuk e ka atë fat. Lino Banfi e përfundon letrën me një thirrje ndaj Kryeministrit, ku i shkruan: “I dashur Silvio, për aq sa të njoh, jam i sigurt se ti do të bësh diçka”. Unë nuk i njoh personalisht shtetarët tanë, megjithatë u drejtohem njësoj: “Të nderuar: President, Kryeministër, ministër, për aq sa di, duhet të kishit bërë diçka me kohë. Ndihmoni Markot”!
#