Aksidentet, dy të vdekur në Lushnjë dhe Shkodër
Dy të vdekur ka qenë bilanci i dy aksidenteve rrugore të ndodhura dje në Shkodër dhe Lushnjë. Ndërkohë që në rastin e parë viktima ka qenë një 19-vjeçar, në rastin e dytë identiteti i autorit është zbardhur disa orë më pas, për shkak se ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe e ka djegur automjetin me të cilin ka shkaktuar aksidentin. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Rrethin e Lushnjës, ku një 20-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Policia është vënë në kërkim të autorit dhe vetëm pas disa orësh është bërë i mundur identifikimi i tij. Ndërkohë, bashkë me zbardhjen e ngjarjes rrugore, policia ka zbuluar se automjeti që ka shkaktuar përplasjen e dy të rinjve ka qenë i vjedhur. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se ka qenë ora 10:00 e së dielës, kur në segmentin rrugor Lushnjë-Fiershegan, një automjet tip “BMW” me targa të huaja është përplasur me një motoçikletë ku ndodheshin dy të rinjtë Afrim Nezha 20-vjeç dhe Lauren Arapi 21 vjeç, të dy nga Lushnja. Aksidenti ka qenë fatal për Nezhën, ndërkohë që 21-vjeçari Arapi ka mbetur i plagosur rëndë. Pas përplasjes, automjeti që ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos u dhënë as ndihmën e parë të aksidentuarve.
Ndërkohë, një orë më pas, policia e gjeti automjetin të djegur. Pas disa orë hetimesh, është bërë i mundur identifikimi i autorit të aksidentit. Ai është Armando Kruja, 31 vjeç nga Tirana. Pas ndalimit, 31-vjeçari do të pyetet dhe për faktin pse makina me të cilën ai qarkullonte rezulton e vjedhur. Ndërkohë, pak orë më pas, në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, në vendin e quajtur “kthesa e Dajçit”, ka gjetur vdekjen një 19-vjeçar që udhëtonte me një motor. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se dy personat e përfshirë në këtë aksident janë: Aldo Jaku, 16 vjeç që drejtonte motorin dhe Florjan Palalaj, 19 vjeç. Dy të rinjtë po udhëtonin me motor nga Shkodra drejt plazhit të Velipojës, kur kanë devijuar nga rruga dhe kanë përfunduar në kanalin pranë rrugës. Për pasojë, 19-vjeçari Florjan Palalaj nga fshati Kosmac i Shkodrës, ka fluturuar disa metra dhe është goditur në kokë. Me gjithë ndihmën e parë, ai ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërkohë, policia ka ndaluar drejtuesin e motorit, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugorë.
#