Provimet me zgjedhje, “digjen” për në universitet rreth 7 mijë maturantë
Rreth 7 mijë maturantë në shkallë vendi nuk kanë mundur që t’i kalojnë me sukses provimet me zgjedhje të Maturës. Për rrjedhojë, për këta maturantë gara e pranimeve në universitete është ndërprerë në këtë fazë. Shifra për numrin e maturantëve mbetës në provimet me zgjedhje bëhet e ditur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), sipas së cilës, maturantët mbetës kanë gabuar në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje. Kanë qenë pikërisht lënda e Historisë dhe Gjeografisë, dy provimet me zgjedhje që kanë fundosur më së shumti maturantët. Sipas specialistëve të AVA-s, për këto dy lëndë ka pasur një fluks të madh kërkesash, pasi po sipas tyre, ato janë parë nga të rinjtë si mundësia për të mos ngelur pa shkollë të lartë. Ndërkohë që krejt e kundërta është evidentuar në provimet e maturantëve për këto dy provime, ku pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pothuajse ”bryll”. Kjo ka bërë që në këto dy lëndë, të rezultojnë fitues vetëm ata maturantë që ishin përgatitur për Historinë dhe Gjeografinë, dhe që sigurisht kishin bërë një përzgjedhje të mirë të preferencave, duke u bazuar tek aftësitë personale dhe kërkesat për çdo degë. Ndërsa maturantët mësojnë sot se rreth 7 mijë prej tyre nuk do t’i vijojnë studimet e larta, emrat konkret të fituesve dhe të humbësve të provimeve me zgjedhje, përfshirë edhe të tyrin, ata do t’i marrin vesh ditën e hënë të javës që vjen. Megjithëse ishte parashikuar që notat e provimeve me zgjedhje do të publikoheshin ditën e djeshme, ato janë lënë për tu afishuar në shkolla në fillim të javës që vjen.
25 Korrik 2009