Konkurset, Akademia e Arteve publikon numrin e të regjistruarve për të tre fakultetet
Jonida Tashi
Akademia e Arteve në kryeqytet publikon numrin e kandidatëve të regjistruar në konkurset e pranimit sipas fakulteteve të saj. Sipas shifrave zyrtare, të nxjerra nga drejtuesit e Akademisë së Arteve, 450 konkurruesit janë shpërndarë për secilin prej tre fakulteteve si më poshtë. Kështu, në Fakultetin e Muzikës janë regjistruar për t’iu nënshtruar konkursit të pranimit 140 kandidatë, në Fakultetin e Artit Skenik 121, ndërsa në Fakultetin e Arteve të Bukura 179. Siç shihet edhe nga tabelat e kandidatëve të regjistruar, për të marrë pjesë në konkurset e pranimit të Akademisë së Arteve, Piktura është dega më e preferuar. Kjo është dega që ka arritur të grumbullojë një fluks më të madh kërkesash në Akademi, plot 148 të tilla. Ndërsa në Fakultetin e Artit Skenik, si gjithmonë dega më e preferuar vazhdon të jetë ajo e Aktrimit, për të cilën janë regjistruar 34 kandidatë.
Konkurset
Në datën 23 korrik në Akademinë e Arteve janë zhvilluar konkurset e pranimit për 19 degët e Fakultetit të Muzikës. Në këto konkurse kanë marrë pjesë edhe tre kandidatë, që kanë konkurruar për një program të dytë studimi në Akademinë e Arteve, për vitin akademik 2009-2010. Tre konkurruesit që kanë zgjedhur Akademinë e Arteve, si fakultet të dytë, kanë preferuar t’i vijojnë sundimet e dyta në degët: Violinë, Kanto dhe Kitarë. Pas përfundimit të konkurseve të pranimit në çdo fakultet, drejtuesit e Akademisë së Arteve do të nxjerrin edhe rezultatet, për të gjitha degët e Akademisë së Arteve. Sipas burimeve zyrtare nga Akademia e Arteve, rezultatet e konkurseve do të publikohen në datën 31 korrik.
Pranimet
Megjithëse konkurseve të pranimit në Akademinë e Arteve do t’i nënshtrohen 450 kandidatë, vetëm 140 prej tyre do të përzgjidhen për të vijuar studimet e larta. Më shumë shanse për t’u përzgjedhur si fitues do të kenë kandidatët që do të spikasin për talentin e tyre, si dhe që kanë një notë të mirë mesatare. Por, ajo që dihet tashmë është fakti se konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në Akademinë e Arteve, pikësëpari, do t’u duhet të jenë të suksesshëm në konkurset e pranimit, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të programeve dhe të kenë një notë të lartë mesatare.
S’kualifikimet
Kandidatët që nuk do të arrijnë të marrin 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk do të fitojnë të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010. Ky është rregulli i vendosur nga drejtuesit e Akademisë për të bërë shkualifikimin e kandidatëve. Ashtu siç është përcaktuar edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind.
25 Korrik 2009