E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, pacientët mbajnë shpirtin gjallë me freskuese



Emanuela Sako
Pacientët e shtruar në QSUT, po vuajnë ditët më të tmerrshme të jetës së tyre. Kjo jo vetëm për shkak të sëmundjes, por sepse në dhomat e shtrimit temperaturat janë 40 gradë celsius, po aq sa në ambientet jashtë godinës. Disa prej tyre e kanë gjetur zgjidhjen. Bashkë me ambulancat që i shoqërojnë për në spital, ata kanë kohë të marrin ventilatorët me vete për të gjetur pak fresk në dhomat e shtrimit. Situata në spitale është alarmante, pasi i nxehti afrikan që ka pushtuar vendin ditët e fundit, godet edhe më tepër gjendjen shëndetësore të tyre, pavarësisht se janë nën kujdesin e mjekëve. Asnjë nga pavijonet e shtrimit në QSUT nuk ofron sistemin e kondicionimit të përgjithshëm të dhomave. Në vend që pacientët të kurohen, gjendja e tyre përkeqësohet dhe bëhet shkak për rreziqe të shumta shëndetësore.
Situata
Të vetmet që kanë sistemin e kondicionimit janë sallat e operacioneve apo Reanimacioni. Vetëm këtu, pacientët mund të gjejnë pak fresk, por që të vijnë këtu, ose duhet të jenë nën ndikimin e bisturisë ose në gjendje më të rënë shëndetësore dhe të qëndrojnë në sallat e Reanimacionit. Në dhomat e shtrimit, pacientët kanë parë si të vetmen zgjidhje marrjen e masave nga familjarët e tyre. Ata kanë zgjidhur në rrugë personale, mënyrën e freskimit të ambientit. Në këto kushte, duhet pasur parasysh që shumica e sëmundjeve të stinës së verës, shkaktohen nga temperaturat e larta. Ndërsa, mjekët japin këshilla për qëndrimin në temperatura të ulëta dhe konsumimin e lëngjeve apo ushqimeve të freskëta.
Rastet
Që me rritjen e temperaturave, numërohen me dhjetëra raste të personave që u janë drejtuar spitaleve. Kryesisht, bëhet fjalë për moshën e tretë dhe të vegjlit. Ndërsa problemet kryesore janë sëmundjet kardiake, të shkaktuara nga temperaturat e larta. Kjo situatë bëhet edhe më e vështirë, kur në dhomat e shtrimit apo të konsultave mungon freskia. Por e njëjta situatë është shfaqur edhe gjatë dimrit, ku këtë herë problem ka qenë ngrohja në dhoma. Edhe në këtë rast, pacientët e kanë zgjidhur problemin në mënyrë individuale.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›