Gripi i derrit, konfirmohen 3 raste të reja me virusin AH1N1
Emanuela Sako
Specialistët e shëndetësisë në vendin tonë japin konfirmimin dhe për 3 raste të tjera, të prekur nga virusi AH1N1. Njëri nga të prekurit është një biznesmen shqiptar që kishte udhëtuar në shtetin Anglez, nga ku pretendohet të ketë marrë virusin. Aktualisht, priten rezultatet përfundimtare nga laboratori Rumun, i cili është vendosur të kryejë ekzaminimet për Europën Juglindore. Autoritetet e shëndetësisë po analizojnë rreth 25 mostra të marra nga persona në Tiranë dhe rrethe të tjera të vendit, të dyshuar për virusin A/H1N1. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, theksoi se midis këtyre personave, analizat e të cilëve po përpunohen, ka shumë mundësi të jenë të prekur. “Jemi duke përpunuar 20-25 raste të dyshuara, pra mostra të mara nga Tirana dhe rrethet e tjera. Kemi identifikuar disa raste me grip që më shumë gjasa duhet të jetë gripi i ri pandemik”,- bëri të ditur Alban Ylli.
Dozat
Sipas premtimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë kanë mbërritur në vend një sasi e madhe dozash Tamilu, të cilat mendohet të përdoren për rreth 1200 persona. Shumë shpejt, do të vijë një sasi e madhe për rreth 10-15 mijë pacientë. Drejtori i ISHP-së theksoi se kjo sasi është e konsiderueshme për të përballuar situatën edhe gjatë sezonit të dimrit. Gjatë sezonit të vjeshtës dhe atij dimëror, pritet që të ketë një shtim të madh të rasteve të personave që do të preken nga ky virus. Në këtë periudhë, qytetarët preken nga gripi i zakonshëm dhe janë më të prirur për t’u prekur edhe nga gripi i derrit. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas këtë preparat për individët që kanë nevojë në të gjitha spitalet rajonale. Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që sasia e sapoardhur do t’u shpërndahet urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Medikamenti mban përsipër dhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011.
Kontrollet
Megjithëse autoritetet shëndetësore janë shprehur se virusi tashmë nuk mund të parandalohet në kufi, ata kanë vendosur kontrolle në pikat kufitare. Por, duket se më tepër vlerë kanë mesazhet sensibilizuese, pasi specialistët e DSHP-ve nuk mund të lokalizojnë personat e prekur. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka dhënë këshilla publike për të gjithë udhëtarët. Sipas saj në rast se ata janë në bord të trageteve apo avionëve dhe vënë re simptomat, të drejtohen te mjeku dhe të veçohen nga udhëtarët e tjerë deri në mbërritje. Me të mbërritur në vend, do të kryhen ekzaminimet nga specialistët, ku do të vendosen dhe masat paraprake.
A/H1N1, OBSH: Përhapja shumë shpejt do të jetë 100 për qind
Specialistët botërorë kanë deklaruar se përhapja e virusit do të marrë përmasa të frikshme në të gjithë botën. Sipas OBSH-së, numri i të prekurve në të gjithë botën mund të arrijë në 100 për qind. “Përhapja e këtij virusi, shumë shpejt do të jetë 100 për qind. Të paktën 160 nga 193 vendet anëtare të OBSH-së kanë regjistruar raste nga virusi A/H1N1”, - u shpreh në Gjenevë zëdhënësi i OBSH-se, Gregory Hartl. OBSH-ja deklaron se virusi do të prekë 25-30 për qind të popullsisë Shqiptare. Përfaqësuesja e Zyrës së OBSH-së në vendin tonë, Anshue Banerje deklaroi dje, se virusi në vendin tonë po shfaqet në forma jo të komplikuara dhe më i lehtë se virusi i gripit të zakonshëm. Banerje theksoi se nuk ka vend për panik nga AH1N1, pasi në stadin aktual virusi nuk është në forma të komplikuara për shëndetin e qytetarëve që kanë rezultuar të prekur. Zyra e OBSH-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha këshillat e specialistëve për mbajtjen e higjienës, për të shmangur prekjen nga virusi.
25 Korrik 2009