E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i shtetit, nisin më 10 tetor regjistrimet për mjekët

Nga data 10 tetor deri në datën 26 tetor pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nisin regjistrimet për provimin e parë të shtetit, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, në bazë të ligjit “Për Profesionet e rregulluara”, i hyrë në fuqi në vitin 2009.

Kjo fazë regjistrimi do të vlejë vetëm për brezin akademik 2009-2010, mjekë të përgjithshëm e stomatologë, që janë regjistruar dhe që kanë kryer praktikën profesionale konform rregullave të Urdhrit të Mjekëve për praktikën profesionale, si dhe janë pajisur me dokumente përkatëse brenda afateve të përcaktuara nga ky institucion. Ndërsa të rinjtë e porsadiplomuar në mjekësi të përgjithshme dhe stomatologji do të hyjnë në provim në muajin maj të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që dje, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka miratuar projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 171, datë 22.10.2009 ‘Për profesionet e rregulluara në RSH’”. Ky projektligj ka si synim të krijojë lehtësi dhe efikasitet në kryerjen me sukses të praktikës profesionale dhe provimit të shtetit. Deputetët vlerësuan se, ky projektligj krijon një bazë të plotë ligjore për kualifikimin e mëtejshëm të studentëve që pas përfundimit të programit të studimeve duan të fitojnë të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›