E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Infermierit: Transparencë për emërimet e reja në QSUT

Urdhri i Infermierit kërkon të marrë pjesë në vlerësimin e testeve për përzgjedhjen e kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve të rinj në spitalin “Nënë Tereza”. Kreu i këtij urdhri, Sabri Skënderi i bëri apel QSUT-së për transparencë në emërimet që do të kryhen, pas lirimit nga detyra të të gjithë kryeinfermierëve. Nga përvoja e viteve të shkuara, sipas Skënderit, në postet drejtuese kanë dominuar persona që janë përzgjedhur nga politika.”Urdhri i Infermierit mendon dhe i kërkon drejtorisë së QSUT-së të ngrihet një komision testimi, pse jo dhe me përfaqësues të Urdhrit të Infermierit. Të zhvillohet me të vërtetë një konkurs serioz për të zgjedhur njerëzit më të aftë, ata që do të dinë dhe do të japin një impakt të ri kujdesit infermieror për t’i rregulluar ato në sensin pozitiv. Por, nëse nuk do të ndodh kështu, por do të ndodh si më parë, me motive politike apo personale, kjo do të jetë diçka tepër negative”, - thotë Skënderi. Më tej, ai shprehet me nota kritike mbi administratën e fryrë të qendrës më të madhe spitalore në vend. Sipas kreut të Infermierëve, edhe pse numri i punonjësve vitet e fundit është shtuar, cilësia e punës nuk është rritur. Duke propozuar një riorganizim të të gjitha strukturave të QSUT-së, kreu i Urdhrit të Infermierit thotë se çdo spital në këtë qendër spitalore duhet të ketë nga një drejtor më vetë, ashtu siç ka qenë para disa vjetësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›