Ish-ushtarakët, Mbrojtja cakton dokumentet për pension suplementar
Caktohen dokumentet që duhet të mblidhen nga strukturat përgjegjëse të Forcave të Armatosura, për përfitimet suplementare të ish-ushtarakëve, që kanë dalë në lirim para periudhës 3 korrik të vitit 1991. Ministria e Mbrojtjes ka detajuar dokumentet për suplement për këtë kategori ish-ushtarakësh, për të cilët procesi ka ecur me ritme të ngadalta, pikërisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar në dosjen e përfitimit, që dorëzohet në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Më konkretisht, dokumentet për suplement, për personat që kanë dalë në lirim para periudhës 3.7.1991 janë: fotokopje e kërkesës që kanë bërë te ISSH (modeli 01 jeshil); fotokopje të modelit 31 që gjendet tek dosja personale e ISSH; fotokopje e kartës së identitetit; fotokopje e librezës së pensionit të pleqërisë. Lidhur me pagesën kalimtare për vitet 1992-1995, periudhë kohore kjo për të cilën për efekt të sigurimeve, kontributet do t’u mbulohen nga shteti, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se këtë pagesë ish-ushtarakët do ta marrin te njësitë ku kanë dalë në lirim. Tek Komanda e Qendrës së Personel Rekrutimit (QPR) gjenden dosjet pas vitit 2000, ndërsa dosjet e FT gjenden tek Z.Teki në Durrës, Divizioni I, II. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar edhe 15 strukturat përgjegjëse të Forcave të Armatosura, që përgatisin dokumentacionin dhe formularët për përfitime suplementare, për ish-ushtarakët e kësaj strukture. Pjesën më të madhe të përfituesve nga ligji 10142, e zënë pikërisht ushtarakët që kanë qenë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët në total janë rreth 15 mijë të tillë. Në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes nuk do të jetë i vetmi institucion që do të plotësojë formularin e posaçëm për periudhën e shërbimit dhe pagën referuese, por do të jenë edhe disa njësi të tjera në varësi të drejtpërdrejtë të saj si: Komanda e Forcave, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Brigada, Regjimenti, Reparti dhe njësi në varësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Për këtë arsye, ministri i Mbrojtjes ka dërguar në ISSH listën e strukturave që do të përgatitin këto dokumentacione dhe do të plotësojnë formularët përkatës.
Procedura
Sipas vendimit të qeverisë nr.793, datë 24.9.2010, për zbatimin e ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009 për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, për ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë
3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, do të ndiqen procedurat e mëposhtme. Vjetërsia e përgjithshme në shërbim është ajo e evidentuar në formularin përkatës të vjetërsisë në shërbim, që ndodhet në dosjen e pensionit, sipas të cilit është llogaritur masa e pensionit të pleqërisë në zbatim të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar. Paga referuese individuale sipas gradës apo funksionit evidentohet nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme ose institucionet përkatëse, sipas rastit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në vendim. Në vendim thuhet se pensionet suplementare jepen me kërkesë të ish-ushtarakut të Forcave të Armatosura, në pension. Kërkesa plotësohet në 2 kopje, sipas formatit të përcaktuar dhe dorëzohet, së bashku me një fotokopje të letërnjoftimit elektronik, në drejtorinë rajonale përkatëse të sigurimeve shoqërore, ku ndodhet dosja e pensionit të pleqërisë. Një kopje e kërkesës për pension, e shoqëruar me fotokopjen e formularit të vjetërsisë së shërbimit që ndodhen në dosjen e pensionit të pleqërisë, u dërgohet me shkresë përcjellëse e postë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme ose institucioneve përgjegjëse, të cilat administrojnë dosjet personale të ish-ushtarakut. Ministria e Mbrojtjes ose Ministria e Brendshme a institucioni përgjegjës plotëson formularin e posaçëm për periudhën e shërbimit dhe pagën referuese, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, të cilin ia dërgon zyrtarisht drejtorisë rajonale përkatëse të sigurimeve shoqërore. Kjo e fundit me kopjen e kërkesës, fotokopjen e letërnjoftimit elektronik, fotokopjen e formularit të vjetërsisë së shërbimit që ndodhen në dosjen e pensionit të pleqërisë dhe me formularin e ri të vjetërsisë në shërbim dhe të pagës referuese, të dërguar nga strukturat përkatëse, krijon një dosje për përfituesin, llogarit masën e përfitimit mujor, harton vendimin për caktimin e pensionit dhe urdhër-pagesën, përgatit librezën e pensionit dhe i dërgon ato në destinacion për realizimin e pagesës në favor të përfituesit.
Dokumentet për suplement
Fotokopje e kërkesës që kanë bërë te ISSH (modeli 01 jeshil)
Fotokopje të modelit 31 që gjendet tek dosja personale e ISSH
Fotokopje e kartës së identitetit
Fotokopje e librezës së pensionit të pleqërisë
Pagesën kalimtare për vitet 1992-1995 do ta marrin te njësitë ku kanë dalë
Tek Komanda e Qendrës së Personel Rekrutimit QPR gjenden dosjet pas vitit 2000 Dosjet e FT gjenden tek Z.Teki në Durrës, divizioni I, II