E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i shtetit për mësuesinë, 40% e pjesëmarrësve rezultuan mbetës

TIRANE - 40% e pjesëmarrësve për profesionin e mësuesisë në provimin e detyrueshëm të shtetit kanë rezultuar mbetës. Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit, Niko Terezi deklaron se në këtë sezon morën pjesë 667 kandidatë, ku vetëm 60% e të testuarve kanë rezultuar kalues, ndërsa vërehet një cilësi e ulët në degët dyshe, siç është matematika dhe fizika ndërsa rezultate të larta kanë arritur studentët e gjuhëve të huaja dhe të shkencave sociale.

“Gjithsej u regjistruan 777 kandidatë, nga këta 667 u paraqitën në provim dhe rreth 60% e tyre e morën provimin. 40% do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në sezonin e dhjetorit. Vazhdon të ketë një cilësi më të ulët në fizikë dhe në informatikë, sidomos në degët dyshe, matematikë-informatikë apo matematikë –fizikë. Në fizikë nga 10 veta që morën pjesë, vetëm katër e morën. Në matematikë-fizikë po ashtu e morën 4 veta nga rreth 20 që morën pjesë, është një kalueshmëri më e ulët. Në këto degë duhet të shkojnë kandidatë më cilësorë”,- u shpreh Terezi.

Terezi sqaron se 40% e mbetësve të provimit të shtetit do të kenë mundësi ta japin provimin në sezonin e radhës, i cili është në dhjetor, por me një tarife të rritur me 25%.

“Nëse tarifa për herën e parë është 10 mijë lekë të reja, për herën e dytë është 12 mijë e 500 lekë të reja”,- deklaroi Terezi.

Studentët kanë të drejtë ta japin provimin e shtetit deri në 5 herë. Sakaq studentët e diplomuar pas 12 janarit 2011 nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre pa kaluar më parë provimin e shtetit.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Provimi i shtetit për mësuesinë, 40% e pjesëmarrësve rezultuan mbetës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›