Provinca e Minarollit, në kolektiv!
Kinema/ Dje në kinemanë e re, “Cristal Center”, u dha premiera e filmit “Kronikë provinciale”
Në premierën e filmit “Kronikë provinciale”, me skenar të Ylljet Aliçkës, pamë pretendimet e një regjisori të angazhuar në një jetë sociale të ndërlikuar, siç bëjnë shqiptarët. Nuk është hera e parë që përplasemi më synimet e kineastit për zmadhimin e të qenit vetëkritikues, vënien e shoqërisë shqiptare përballë vetes, pasqyrës të së vërtetës; çfarë bëjmë me totemet tona. Regjisori Artan Minarolli në filmin e tij kërkon hapësira sociale, duke iu referuar modelit të kinemasë evropiane që e ka mbyllur kapitullin e independencës. Më afër është neorealizmi italian apo mosha e artë e kinemasë franceze. Për këtë një pjesë e kineastëve kanë sot pozicione skeptike jo për vlerat e filmit, por për atë që diskutohet përditë, por që nuk kemi dëshirë ta shohim në ekran.
Risku i regjisorit Artan Minarolli nuk është më shumë se merr një lëndë krejt të njohur për ta interpretuar në gjuhën filmike, për të na dhënë një komedi satirike. Por, për ta ndarë një herë e përgjithmonë atë që është kinema tradicionale kolektive me kinemanë indipendente, ndonëse i është kaluar koha. Me gjithë këtë përpjekje, dje, në premierën e filmit “Kronikë provinciale”, me skenar të Ylljet Aliçkës, pamë pretendimet e një regjisori të angazhuar në një jetë sociale të ndërlikuar, si bëjnë shqiptarët.
Nuk është hera e parë që përplasemi më synimet e kineastit për zmadhimin e fenomeneve, të qenit vetëkritikues, vënien e shoqërisë shqiptare përballë vetes, pasqyrës të së vërtetës; çfarë bëjmë me totemet tona.
Kjo është shtylla kurrizore e regjisorit sapo të kujtojmë filmin “Natë pa hënë” apo filmin tjetër që pritet po së shpejti premierë “Gjallë”.
I ardhur pas katër vitesh përgatitjeje, premiera e djeshme “Kronikë provinciale” është adaptimi i skenarit të Aliçkës, duke na kujtuar çfarë përmban ky autor dhe se si na është përcjellë dhe nga regjisorë të tjerë në kinema.
Tentativa e groteskut është e zbehtë, duke na ardhur më shumë si imponim nga teksti i skenaristit, që është autor tregimesh groteske. Zhanri i “Kronikës provinciale” është komedi satirike. Thjesht, rrekje për të na bërë humor me dobësitë tona sociale, siç është feja (jo si besim), dashuritë e ndaluara, thashethemet, jeta e mbyllur, kotësia etj. Ngjarjet vendosen në Berat, po prej këtij qyteti përveç panoramës turistike, nuk kemi mbartje mentale prej regjisorit. Personazhet mes tyre nuk kanë ngarkuar thasë në kurriz që të tregojnë identitetin, cilës zonë i përkasin, po ashtu dhe dialektet që ata flasin janë krejt të ndryshme, duke na keqkuptuar gati me qytetin ku xhirohet filmi.
Është një Shqipëri e vogël aty, me mendësi krejt të ngushtë, ku gjallojnë ekstremet dhe absurditetet. Qesharake është çdo sekuencë filmike, saqë duket sikur regjisori i ka sajuar enkas për të na shkaktuar humorin. Ngjarjet nuk rrjedhin, por ngjiten mes tyre gati si episodike. Nuk janë aq të papritura, por dhe shpërndarja e linjave në film, na heq herë pas here vëmendjen nga sekuenca të caktuara, duke krijuar një lloj “çoroditjeje” skenash. Dy grupe burrash, njëra palë me aktorët Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa etj., që besojnë tek minarja dhe në anën tjetër, Birçe Hasko, Aleko Prodani, Guljem Radoja etj., që besojnë tek kambana. Një film, ku hoxha (në rol Mirush Kabashi) na zhvishet nga të gjitha ekstremitetet dhe thjesht kryen ritin dhe prifti që bën të njëjtën gjë, pa iu tunduar morali apo besimi.
Ndërsa pala që nuk përfshihet është familja ku ndodh gjëma, mëkati - dy të rinj, fqinjë, që duhen dhe bëjnë dashuri - në role Arta Dobroshi dhe Tedi Papavrami që vjen nga Perëndimi, Franca, ku ka kryer studimet për pikturë. Është kjo përzierje sociale tipike shqiptare, me gjithë pasojat prapa saj - që nga thashethemet (ndonëse në film përdoren thjesht për të ngjizur konfliktin) e deri tek egoja e burrave, krenaria e tyre meskine që shpesh i çojnë në shamata. Për këtë arsyeja, feja, nuk është shkaku i konfliktit në film. Minarolli i përmbahet këtu saktësisht asaj që thuhet gjithnjë - harmonisë fetare në vend.
Filmi në mbyllje merr suksesin, ndërsa pritshmëria nën titullin tepër tërheqës, është më e madhe në zhvillimin e saj. Dashuria e dy të rinjve, Dobroshit dhe Papavramit, që shkaktojnë dhe zhurmën ironike në film, është pa arrogancë, nuk është romantike, ashtu siç mund të bëjnë ta ndiesh thellësisht kur hasim shoqëri primitive apo kaq provinciale. Minarolli na tregon se i është përshtatur natyrës racionale, që duket e merr të gatshme nga vetë aktori Papavrami - si njeri i ftohtë, që vjen nga jeta perëndimore, që nuk hedh asnjë fjalë për kontrastin e jetëve, por thjesht mbyllet në shtëpinë e tij pa e shqetësuar çfarë ekziston jashtë dritareve. Dhe papritur e nxjerr regjisori për të na çuar në një konflikt gati të parashikuar - mes lagjes myslimane, dhe asaj të krishterë. Ndoshta kjo vjen ngaqë regjisori nuk u ka lënë vend karaktereve, psikologjisë së personazheve, duke i interesuar thjesht ngjarja, skenat dhe arritja drejt finales për të treguar shumë gjëra njëherësh - çfarë ndodh në një lagje, në një qytet, në një periferi, në një vend që është i izoluar, i pazhvilluar e në këtë kontekst provincial.
Filmi nuk tenton, sipas Minarollit, të na japë saktësi të historisë. Ashtu si kineastë të tjerë, edhe ky regjisor u shpëton lapsuseve duke u “mbrojtur” me argumentin se filmi është një thriller dhe jo domosdoshmërisht jep saktësi detajesh. Se po t’i përmbahesh kësaj saktësie, gjithë filmi është i mbushur me detaje kitch, ku skenat duken sikur mbijnë papritur, pa ndjekur asnjë logjikë kohe. Për shembull, ditën e ujit të bekuar, që është në mes të dimrit në besimin ortodoks, regjisori na e vendos në mes të verës. Në titrat e këtij produksioni thuhet se ngjarjet vijnë fill pas viteve ’90, një kohë post-diktature në Shqipëri. Po a mjafton kjo për të kuptuar nëse regjisori kërkon shkëputjen nga ky lloj angazhimi apo thjesht të godasë si dikur veset në kolektiv. Filmi bëhet “i frikshëm” për nga shpresa që të shohim protagonizëm, psikologji. Edhe ky film është qartë një produkt kolektiv, pa thellime në psikologjinë e personazheve, sepse nuk besojmë se ky lloj identifikimi i përket kolektivit, gjithë shoqërisë shqiptare. E justifikojmë regjisorin për përqendrimin në idenë e tij për të na sjellë kronikë provinciale, për të na treguar kotësinë e një grupi shoqëror. Kjo është ndoshta pika më e dobët sot për sot në kinemanë tonë, prej së cilës qenka e vështirë për t’u ndarë. Ndoshta në pavetëdije kjo shpreh dhe mentalitetin “provincial” që gjërat përjetohen dhe marrin zgjidhje vetëm në varësi kolektive - siç ishte e detyruar dhe ikja nga qyteti i çiftit të dashuruar. Komedia e filmit tingëllon herë pas here si një lloj kabareje - ndoshta dhe kjo për shkak të konsumit të madh të aktorëve drejt humorit, por ndoshta edhe pse asnjëherë nuk kemi njohur deri tani një aktor që ka një ngjarje të zbërthyer psikologjikisht. Për këtë arsye edhe filmi, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kinemanë e re “Cristal Center”, në periferi të kryeqytetit, i ngjan një realiteti po kaq provincial sa vetë ngjarja e saj.
Ajo që duhet vlerësuar tek regjisori, është shkëputja prej një jete politike të kinemasë, tentativa për të mos kuptuar se në cilat vite jetojmë - por duken të paktën qartë pasojat e një post-diktature, mentaliteti dhe mungesa totale e identitetit.
Kjo mund të quhet shkarje e regjisorit për të koncentruar në një film të gjitha deduksionet sociale, mentale dhe psikologjike - por rrëfimi mbetet thjesht panoramik, e drejtuar kah një kritike të fortë, që kalon caqet e ironisë, gati në sakrifikim artistik.
Koincidencat e groteskut apo zmadhimi i fenomenit, më shumë i ngjanë një rastësie tekstuale, që vjen nga skenari i Aliçkajt, që shpesh rrahin të jenë të njëjta me filmat e Xhuvanëve. Megjithatë, këtë arsye Minarolli nuk e ka përjashtuar. Ndaj risku i “Kronikës provinciale” që përmendëm në krye për regjisorin është në perceptimin e komedisë, mbi të njëjtin stil teksti, po ashtu edhe në ruajtjen e një tradicioni kolektiv të mentalitetit që ka trashëguar kinemaja jonë. Ajo do ta mbante larg regjisorin për pretendimet e tij për krijimin e kinemasë indipendente, pavarësisht se e vërteta tani nuk është e frikshme dhe as tabu të thuhet.
Regjisori Artan Minarolli në filmin e tij kërkon hapësira sociale, duke iu referuar modelit të kinemasë evropiane që e ka mbyllur kapitullin e independencës. Më afër është neorealizmi italian apo mosha e artë e kinemasë franceze. Për këtë një pjesë e kineastëve kanë sot pozicione skeptike jo për vlerat e filmit, por për atë që diskutohet përditë, por që nuk kemi dëshirë ta shohim në ekran.