E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licencat,ndërtuesit kërkojnë rishikim të rregullave



Kërkesa / Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar që MPPT&T të rishikojë rregulloren e miratuar nga qeveria

Me ndryshimin e rregullores për dhënien e licencave për firmat e ndërtimit, shumica nga firmat e ndërtimit nuk kanë mundur të rimarrin licencë për punët që kryejnë. Ndërtuesit kërkojnë nga qeveria të krijojë mundësitë për rishikimin e rregullores, me qëllim që të rishihen procedurat e dhënies së licencave. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maks Muçi, tha se rreth 1 mijë kompani ndërtimi nuk kanë mundur të marrin licencë për kategoritë e punëve që ato kryejnë për shkak të konfuzionit në rregulloren e licencimit. Muçi theksoi se ndërtuesit e kanë kundërshtuar që në fillim këtë praktikë, sepse do të penalizoheshin kompani që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aktivitet në katër vitet e fundit

Rregullorja e re për dhënien e licencave firmave të ndërtimit duket se ka vënë në vështirësi sektorin e ndërtimit. Shoqata e Ndërtuesve kërkoi dje nga qeveria rishikimin nga ana e qeverisë të rregullores së licencimit, të miratuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kryetari i kësaj shoqate, Maks Muçi, tha dje gjatë një konferencë për shtyp se rreth 1 mijë kompani ndërtimi nuk kanë mundur të marrin licencë për kategoritë e punëve që ato kryejnë për shkak të konfuzionit në rregulloren e licencimit. Sipas tij, SHNSH e ka kundërshtuar që në fillim këtë praktikë, sepse do të penalizoheshin kompani, që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aktivitet në katër vitet e fundit. "Sot ka kompani që ushtrojnë aktivitet prej më shumë se 10 vitesh në vend dhe klasifikohen me këtë rregullore si të nivelit fillestar", - deklaroi Muçi, ndërsa shtoi se "SHNSH kërkon bashkëpunimin me ministrinë përkatëse (MPPTT) për t'i prerë rrugën subjektivizmit dhe barrierave administrative". Ai ngriti shqetësimin se shumë firma nuk po mundin të punojnë për shkak të rregullores së re. Muçi vuri theksin se projekti fillestar kishte parashikuar tre vitet e fundit, por me insistimin publik të SHNSH ky afat u shty në katër vite eksperiencë si bazë për të marrë licencën. Shoqata e Ndërtuesve ka kundërshtuar që në fillim këtë praktikë, sepse do të penalizoheshin kompani që për arsye të ndryshme nuk kanë kryer aktivitet në katër vitet e fundit.

Ai vuri theksin se zhvlerësimi i kompanive na bën të dyshojmë për qëllime klienteliste, për të marrë në mbrojtje kompani të krijuara rishtazi, por që janë furnizuar me fonde publike në këto katër vitet e fundit. Kreu i ndërtuesve bëri me dije se janë shtatë nivele klasifikimi të kompanive sipas vlerave në lekë të punimeve të kryera nga A–G. Sipas Muçës, është e pamundur që në një sektor të tillë si ndërtimi, kompani që kanë një eksperiencë minimale, por që janë mbështetur me fonde vitet e fundit, të kenë kategorinë F dhe kompani që kanë më shumë se 10 vite në treg të kenë nivelin A. Ai nënvizoi se kjo tregon një mungesë serioziteti dhe vlerësimi për investimet e mëdha njerëzore dhe materiale që këto kompani kanë bërë për të ngritur emrin e tyre. “Vërejmë me keqardhje se prej kohësh ekziston tendenca për të penguar kompanitë e ndërtimit në një zhvillim konkurrues dhe transparent, duke i vënë pengesa artificiale. Mund të përmendim këtu manualin e çmimeve, pagat referuese, ligjin e gjobave etj. Megjithëse vërejtjet tona janë paraqitur pranë zyrës së Kryeministrit, nuk kemi marrë asnjë përgjigje as nga Kryeministri as nga ministria përkatëse”, - tha Muça. Ai nënvizoi se Shoqata e Ndërtuesve ka qenë gjithmonë e bindur se bashkëbisedimi dhe ulja në një tryezë të përbashkët është e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet dhe për t’i prerë rrugën subjektivizmit dhe barrierave administrative.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›