E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi, Berisha premton rindërtimin e të gjitha shkollave



Turi i Kryeministrit “Shqipëria po ndryshon” zbret në Korçë

“Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar”. Ky ishte premtimi që bëri dje Kryeministri Sali Berisha për katër vitet në vijim nga qyteti i Korçës. Berisha tha se qeveria do të rrisë më tej pagat e arsimtarëve, kundrejt kërkesave të opozitës, si dhe premtoi bursa për studentët që fitojnë shkolla të mira jashtë vendit.

Arsimi do të jetë fusha kryesore në të cilën qeveria “Berisha” do të ndërhyjë në mandatin e dytë. Kryeministri Sali Berisha shkoi dje në qytetin e Korçës në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, nga ku premtoi se për katër vitet në vijim, do të rindërtohet çdo shkollë në vend. “Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar. Ju do të mësoni në shkolla dinjitoze, në shkolla të reja, me sistem ngrohjeje, me kabinete informatike, me terrene sportive, në shkollat që ju meritoni”, - tha Berisha. Kryeministri tha më tej se pavarësisht kërkesave të opozitës, ai do të rrisë pagat e arsimtarëve në muajin maj, si dhe rritja do të vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme. “Opozita më kërkon të mos rris pagat. Opozita protestoi se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi nuk mund t’i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. Ndaj, ne do t’i dyfishojmë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë”, - deklaroi Berisha. Duke folur për të rinjtë, Berisha tha se të gjitha shkollat e Shqipërisë do të kenë internet. Fotoja që shoqëronte sloganin “Shqipëria po ndryshon”, ishte me disa fëmijë që kishin akses në internet, ndërsa Kryeministri premtoi zhvillime të mëdha për moshën dixhitale. “Duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet. Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, do të ketë zhvillime shumë më të mëdha për moshën dixhitale. Në 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje që nxënësit të kenë kompjuter dhe internet edhe në shtëpitë e tyre”, - deklaroi ai.

Një tjetër premtim i Berishës në Korçë ishte mbështetja e studentëve të talentuar. Ai tha se çdokush që fiton shkollën jashtë vendit, do të mbështetet tek qeveria. “Tre ditë më parë, një prind nga Durrësi më dërgonte një mesazh, ku më njoftonte se vajza e tij kishte aplikuar dhe fituar të drejtën e studimit në Universitetin e Bristolit, një nga më të mirët në botë. Unë iu zotova se do ta mbështesim dhe autoritetet kanë marrë porosinë që t’i akordojnë bursën, në përputhje me premtimin e dhënë. Jo vetëm kësaj vajze që ka fituar të drejtën e studimit në Bristol, por edhe në Harvard, Kembrixh, Oksford dhe kudo në universitetet më të mira, do të mund të studiojë nëpërmjet bursave të qeverisë, çdo vajzë e djalë shqiptar që fiton të drejtën e studimit”, - tha Berisha. Sipas tij, universitetet hapën dyert, por premtoi se më shumë studentë do të frekuentojnë shkollat shqiptare në katër vitet në vijim. Kryeministri përuroi një shkollë të re në qytetin e Korçës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›