E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajatollah-opozita, fushatë me “qafirë” e “armiq populli”

10-04-2011 / Nga Ilir Nikolla

Ndryshimi i sloganit të fushatës së Partisë Socialiste bie era destabilizim, diktaturë e horrllëk. Kjo opozitë s’ka më cipë dhe e thotë hapur se zgjedhësit s’kanë tjetër mundësi veç të zgjedhin Edi Ramën e PS-në, pasi ata janë “e vetmja rrugë”...
Sa refren i njohur: apelin për të vetmen rrugë e kemi dëgjuar herët e shpesh, por kujtesa e fundit na kujton komunizmin enverist dhe revolucionin islamik iranian të 1979-s. Nga halabakëria e Montpeljesë drejt e tek thirrjet për t’u marrë pushtetin “ballistëve e zogistëve” ishte pika e lidhjes e karrierës politike të Enver Hoxhës, që u lidh pazgjidhshmërisht edhe me jetëgjatësinë e diktaturës polpotiste në Shqipëri. Rrugë njëkalimëshe ofronin edhe ajatollahët e revolucionit islamik, për të cilët, jashtë sheriatit të tyre ka veç qafirë, veç linçime e lapidime.
“Qafirë” e “armiq populli” janë dy mitrat që po prodhojnë sot “të vetmen rrugë” të Edi Ramës. Pas 20 vitesh demokraci, me gjithë oshilacionet e shfaqura tek standardet e sistemit tonë demokratik, përjashtimi i alternativave ishte hequr nga fjalori ynë politik dhe në disa palë zgjedhje, opozitat ishin përkujdesur të mos e trajtonin humbjen e tyre si kataklizmië, si tradhti kombëtare, si triumf të qafirëve e armiqve të popullit, paçka se jo gjithmonë procesi ishte shoqëruar edhe më pjesën e dytë, atë të analizës e të marrjes së përgjegjësive për humbjen.
Por me çeljen e fushatës elektorale nga Edi Rama kemi shfaqjen e ajatollah-opozitës, shfaqjen e një platforme politike që s’pranon alternativë e që i shantazhon zgjedhësit se do të shkojnë në një theqafje ekzistenciale nëse nuk do t’ia japin asaj votëbesimin. Kjo logjikë po plasohet përmes denigrimit të kundërshtarit, refuzimit për të paraqitur alternativa dhe intimidimit të të gjithë atyre faktorëve që synojnë të përçojnë tek zgjedhësit mesazhin se procesi është për qeverisjen vendore, për qytetarin dhe s’shoqërohet me ndryshime politike. Këto tre drejtime mund të përkufizohen si pararoja e një lëvizjeje politike që mund të pasojë, në rast se Edi Rama s’ia del të shantazhojë shqiptarët e të mbetet në politikë. Imponimi i një regjimi drejtues për bashkinë e Tiranës është shndërruar në rrugën e panegociueshme në të cilën është futur kryetari në detyrë i PS-së, prandaj edhe ajatollah-opozita është zgjedhur në mënyrë imorale, antidemokratike, antishqiptare e antisocialiste si hullia që do të ndiqet pas 8 majit. Pararoja e kësaj “intifade” po artikulohet përmes termave “qafirë” e “armiq populli”, ose e deshifruar sipas interesit ditor të Edvinit, ajo mishërohet në terma të tillë si “kusarë”, “të pabesë”, “tradhtarë” e “vrasës”.
Fatva e Ramës se do të drejtonte personalisht revolucionin për rrëzimin e qeverisë, pasi “regjimi” i tij do të duhej të ishte “e vetmja rrugë” për shqiptarët është kuintesenca e kësaj pararoje intifade. Në këto klithma, ai ngjan të jetë i sinqertë, pasi karriera politike po i ikën për lesh, sapo ai u rrit dhe mori vetë në dorë fatet e veta. S’ka pas tij as kryeministra të fortë si Fatos Nano në ’98-n apo Ilir Meta në 2000-in e as dhurata politike e bakshishe partiake, si kongresi socialist i 2005-s. Humbjet e pas kësaj date janë kambana të këqija dhe në mendjen antidemokratike të ajatollahut që qeveris PS-në, rruga e vetme për të ardhur në pushtet, në rast se ai s’i imponohet zgjedhësit, është ajo e zulmës, është ajo e luftës civile të 1943-it (tematikë të cilën Edi Rama ka treguar se e njeh mirë, me librin e tij “Refleksionet”), apo ajo e revolucioneve islamike, të cilat njohin veç një rrugë, veç një regjim, atë të ajatollahut.
Ajatollah-opozita është një fenomen i ri në epokën pluraliste të Shqipërisë, por ajo meriton një analizë që duhet të shkojë përtej kufirit që e ndan këtë epokë nga diktatura. Mendja e ajatollahut të PS-së mund të jetë e pushtuar nga ëndrra për të përjetësuar regjimin e tij, fillimisht në bashkinë e Tiranës e më pas në të gjithë Shqipërinë, por faktorët e tjerë politikë, por së pari institucionet e shtetit, fryte të kësaj demokracie, kanë përgjegjësinë për të neutralizuar rreziqet që i vijnë sistemit nga faktorë politikë që tashmë s’e njohin më këtë sistem.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›