E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i ri, me 7 kate dhe sipërfaqe 7500 m2

Durrës Në këtë godinë të re mendohet të vendosen edhe zyrat e rektoratit

Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit do të ketë një godinë të re universitare për të plotësuar nevojat në rritje të tij për auditorë dhe rektorat, ndërkohë që në godinën aktuale universitare jo vetëm që mungojnë ambientet, po edhe baza materiale për studim normal. Aktualisht, fakultetet e këtij universiteti janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të qytetit bregdetar, duke krijuar vështirësi për studentët dhe pedagogët për shkak të pamjaftueshmërisë në ambiente që ofron godina aktuale, e konceptuar në ndërtim si shkollë 9-vjeçare për zonën e Currilave. Godina e re e shkollës 9- vjeçare u përshtat katër vjet më parë në një godinë universitare, në të cilën më pas u bënë shtesa kati dhe anësore, po rritja e shpejtë e universitetit e ka tejkaluar kapacitetin e ambienteve.

Projekti i ri

Godina e re është projektuar si një objekt pjesërisht me 4, 5 dhe 7 kate dhe është planifikuar që të ngrihet brenda territorit të shkollës së mesme sportive “Benardina Qeraxhia”, në pjesën tjetër të qytetit bregdetar, dhe parashikohet të ketë një sipërfaqe totale prej 7500 m2. Në këtë godinë të re mendohet të vendoset edhe rektorati i këtij institucioni të arsimit të lartë, në rast se marrëveshja privat-publik nuk do të arrihet për godinën në afërsi të portit detar, ku mendohet të vendoset dhe biblioteka e qytetit. Dorëheqja e rektorit Agim Kukeli vjeshtën e këtij viti, e shfuqizoi marrëveshjen që ishte arritur paraprakisht për ambientet ku do të vendosej rektorati. Tashmë bisedimet do të kryhen nga rektori i sapozgjedhur, Mithat Mema.

Mungesat

Ndërkohë, studentët e “Aleksandër Moisiut” përballen me mungesën e një kampusi universitar të centralizuar. Aktualisht, ata nuk kanë jo vetëm konvikte, mensa studentore apo ambiente të tjera çlodhëse, por as auditorë të mjaftueshme për të studiuar. Në auditorët e godinës aktuale universitare, gjendja e pajisjeve logjistike lë për të dëshiruar. Ndërkohë, në laboratorët e kompjuterit ku realizohen lëndët që lidhen me aplikimin e kompjuterit dhe teknologjinë e informacionit, një pjesë e mirë e kompjuterëve janë jashtë funksionimit dhe studentët nuk mund të praktikojnë njohuritë e marra gjatë leksioneve. Nga ana tjetër, janë afro 6 mijë studentë që ndjekin 40 programet e studimit në 6 fakultetet e këtij universiteti dhe një pjesë e tyre i zhvillojnë orët akademike në disa prej shkollave të mesme në afërsi të stadiumit, si dhe në një godinë private të marrë me qira në hyrje të qytetit.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të KRRT-së së bashkisë, godina e re universitare ka marrë miratimin e lejes së sheshit dhe është në pritje të miratimit të lejes së ndërtimit, që të nisë nga zbatimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›