E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ps, protesta nëse nuk ka zgjidhje

TIRANË - Partia Socialiste është e gatshme t'i rikthehet protestave nëse zgjidhja e dëshiruar nuk do të vijë nëpërmjet dialogut.


Kreu socialist, Edi Rama, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, ka pohuar dje se opozita nuk tërhiqet nga beteja e saj dhe se protesta mbetet një opsion i mundur për sa kohë që mazhoranca vijon të bëj veshin e shurdhër për kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.


"Ne i kemi vënë në dispozicion zgjidhjes të gjitha fuqitë tona. Dhe askush nuk duhet ta harrojë se ajo çfarë kemi thënë qysh në krye të këtij procesi negocimi, me pjesëmarrjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, që ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, dhe se rruga e protestave mbetet e hapur në rast se pala tjetër nuk do pranojë zgjidhjen është sigurisht në fuqi", - tha Rama, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.


Më tej, ai ka bërë të ditur se deri më tani rezultatet e bisedimeve nuk kanë qenë ato që priten jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe partnerëve të huaj që janë angazhuar në ezaurimin e kësaj situate ngërçi.


Kështu, Rama e ka konsideruar të vjetër dhe pa asnjë element të ri të ashtuquajturën paketë propozimesh, për të cilën foli para dy ditësh kryeministri Berisha, por pa bërë të ditur se çfarë përmban konkretisht ajo.


"Është publike (oferta e PS-së) dhe është e ditur, nuk ka asgjë të re dhe nuk është si e ashtuquajtura paketë e kryeministrit që është thjesht dhe vetëm ambalazhim me fjalë i disa gjërash të vjetra", - theksoi kryesocialisti në fjalën e vet.


Ai nuk ka dashur të paragjykojë rezultatin e mëpasshëm të negociatave, por pranoi se kontaktet mes palëve të ndërmjetësuara edhe nga faktori ndërkombëtar i përfaqësuar në Shqipëri kanë qenë të vazhdueshme.


"Ajo që unë mund t'ju them me plotë gojën, është që ne kemi qenë dhe jemi të angazhuar përditë në këtë proces, në të gjitha rrugët e mundshme të komunikimit e të bashkëpunimit me të gjithë ata që janë të angazhuar bashkë me ne. Dhe këtu kam parasysh në radhë të parë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtar", u shpreh Rama, ndërsa nuk ka pranuar të komentojë mbi ecurinë e negociatave.


Ndërsa lidhur me skadimin e ultimatumit dyjavor, kreu socialist është shprehur se në rast se zgjidhja nuk do të vijë në kohën e duhur Shqipëria dhe shqiptarët rrezikojnë të penalizohen në të ardhmen e tyre europiane dhe kjo, sipas tij, për faj të kryeministrit Berisha që nuk dëshiron të dëgjojë dhe të lexojë siç duhet mesazhet e ndërkombëtarëve.


"Kriza jo vetëm nuk është zgjidhur, por ajo po thellohet, duke kërcënuar procesin e integrimit të vendit dhe duke kërcënuar përkeqësimin e raporteve me komunitetin ndërkombëtar dhe posaçërisht me strukturat europiane.


Gjë që nuk duhet të ndodhë, gjë që nuk ka pse të ndodhë dhe gjë që në radhë të parë Sali Berisha duhet ta dëgjojë dhe konsiderojë me shumë vëmendje, pasi për hir të kutive të mbyllura, nuk mund të sakrifikohen interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve.


Është mirë në radhë të parë mos të harrojmë se nuk jemi në një periudhë lufte me afate që pavarësisht sensit të tyre ultimativ, në momentin e skadimit prodhojnë menjëherë efekte bombarduese", - theksoi kryetari i PS-së, Edi Rama.


Në fjalën e vet, Rama ka pohuar gjithashtu se është pikërisht kriza e kutive ajo që bën që edhe ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë krizë, ashtu si edhe institucionet e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›