Kriza, Fyle: Zgjidhja, në dorë të Berishës dhe Ramës
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, deklaroi se partitë janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në PE
TIRANË - Kur ka skaduar afati dyjavor për zgjidhjen e krizës politike, dhe liderët politikë shqiptarë nuk kanë arritur në një marrëveshje midis tyre, Brukseli kërkon zgjidhjen sa më parë të situatës politike. Zyrtarët e Brukselit tashmë ua kanë adresuar zgjidhjen e ngërçit politik krerëve të forcave politike shqiptare, Rama e Berisha.
Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Europian kanë paralajmëruar për masa të rrepta ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë në rast të moszgjidhjes së krizës brenda dy javëve edhe pse komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, pas samitit të Sarajevës nuk e theksoi qëndrimin e BE-së kundrejt afatit të përfunduar.
Por, ai specifikoi se liderët politikë shqiptarë duhet të zgjidhin krizën politike, pasi, sipas tij, ata i kanë marrë parasysh sugjerimet dhe paralajmërimet e krerëve të dy grupeve kryesore në Parlamentin Europian, Xhozef Daul dhe Martin Shulz në darkën e Strasburgut.
Sipas Fyles, topi është në fushën e politikanëve shqiptarë për të arritur në një kompromis politik, ndërsa vuri në dukje se Bashkimi Europian është i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në këtë proces. "Ata e kanë procesin në duart e tyre tani. Ata e njohin përgatitjen tonë për t'i ndihmuar sa më shumë që të mundemi.
Ata janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian. Topi është në fushën e tyre", - ka thënë Shtefan Fyle në një prononcim për mediat në Bosnje -Hercegovinë.
Por, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe ofertave të ndërsjella në formën e varianteve midis opozitës dhe mazhorancës për daljen nga kjo situatë, dy drejtuesit e partive më të mëdha në vend nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të proceduar me mënyrën e kryerjes së transparencës së zgjedhjeve.
Opozita nga njëra anë këmbëngul në hapjen e kutive dhe shqyrtimin e fletëve të votimit, ndërsa mazhoranca nga ana tjetër i qëndron variantit të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, si dhe variantit për djegien e fletëve të votimit.
Bashkimi Europian ka bërë shpeshherë presione ndaj klasës politike shqiptare, duke i bërë të ditur se Shqipëria mund të penalizohet në marrjen e statusit kandidat për në BE, si dhe mund të mos përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave nëse nuk arrihet një zgjidhje politike.
Për këtë arsye, në Samitin e Sarajevës vetë komisioneri për zgjerimin Shtefan Fyle specifikoi se drejtuesit politikë duhet të arrijnë në një konsensus përpara se Parlamenti Europian të shqyrtojë çështjen e heqjes së regjimit të vizave, pasi europarlamentarët do të marrin një vendim politik mbi këtë proces, duke u fokusuar edhe tek situata politike në Shqipëri.
PD e PS përplasen për ecurinë e bisedimeve lidhur me liberalizimin e vizave
Vizat, PD: Nuk ka pengesë. PS: Qeveria, fajtore për shtyrjen
TIRANË - Mazhoranca ka shmangur qëndrimin e disa ministrave të Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian mbi mëdyshjen e tyre për heqjen në kohë të regjimit të vizave me Shqipërinë.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, theksoi dje se procesi i liberalizimit të vizave është një proces i pandalshëm edhe pse Shqipëria ende nuk ka përmbushur tri kriteret e mbetura.
Basha vuri në dukje se dyshimet që hidhen mbi liberalizimin e vizave janë vetëm përpjekje të aktorë politikë të brendshëm që duan ta pengojnë këtë proces dhe jo aktorë të institucioneve të BE-së. Pavarësisht skepticizmit që ka shprehur Belgjika heqjen e vizave me Shqipërinë, Basha tha se ky vend ka treguar mbështetjen e plotë për heqjen e vizave me vendin tonë.
"Nga deklarata e komisionerit Fule, sikundër nga deklarata e komisioneres Malmstrom dhe nga të gjithë deklaratat e deritanishme të institucioneve europiane shihet fare qartë se nuk ka asnjë pengesë politike apo mungesë vullneti politik për të përfunduar me sukses procesin e heqjes së vizave.
Dëshirën për të lidhur procesin e heqjes së vizave me situatën politike apo me kushte politike, unë e shoh si një përpjekje të dëshpëruar të fundit për të bllokuar procesin nga të njëjtët aktorë që u përpoqën ta bënin këtë edhe para të enjtes së kaluar.
Procesi i heqjes së vizave është një proces i pandalshëm dhe se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti në hapësirën Schengen pavarësisht përpjekjeve të padenja të disa aktorëve për ta bllokuar atë.
E kam fjalën për aktorë të brendshëm dhe jo të jashtëm", - tha dje Basha. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PS-së, përmes deputetit Eduard Shalsi.
"Ministri i Brendshëm foli për aktorë të brendshëm që kanë penguar liberalizimin po meqë s'dha emra po i themi ne më të spikaturit: Sali Berisha që simbolizon vjedhjen e votës, Jozefina Topalli që simbolizon dhunimin e parlamentit dhe Lulëzim Basha që simbolizon korrupsion e buzëqeshur të këtij pushteti që pasi u vodhi votat nuk i ofron as punësim dhe as siguri shqiptarëve.
Këta janë aktorët protagonistë të vërtetë, përgjegjës të shtyrjes së pambarimtë të liberalizimit të vizave dhe integrimit të shqiptarëve", tha dje Shalsi.