E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Maqedonia vonon njohjen e pavarësisë

Bardhyl Mahmuti, kryetar i Partisë Bashkimi Demokratik Shqiptar në Maqedoni, rrëfen të fshehtat e Maqedonisë në raport me pavarësinë e Kosovës. Gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip", Mahmuti flet edhe për situatën politike në Maqedoni, marrëdhëniet midis partive shqiptare dhe ndërsa akuzon autoritetet maqedonase se nuk po ndahen dot nga politika e Serbisë.

Pati informacione se Maqedonia do ta njihte dje (e shtunë) pavarësinë e Kosovës. Sipas jush, pse nuk ndodhi kjo?

Çështja e njohjes së pavarësisë është mediatizuar tej mase në raportet midis Kosovës dhe Maqedonisë, nisur nga fakti që qeveria është një koalicion mes një force të politikës shqiptare e maqedonase dhe, nga fakti tjetër, se popullsia shqiptare e Maqedonisë përbën mbi një të tretën e këtij shteti. Kemi shpresuar se do ta njohë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, madje do të ishte ndër vendet e para. Por kjo nuk ndodhi. Për mua, jo vetëm si drejtues i një partie në Maqedoni, por edhe si politolog, do të rikujtoj se Maqedonia si shtet, që nga krijimi i saj si republikë në kuadër të Federatës së Jugosllavisë në vitin 1945 e deri më sot, ka qenë në varësi permanente të autoriteteve të Beogradit. Por kujtoj faktin se edhe kur filloi shpërbërja e Federatës, Maqedonia ishte shteti i fundit që shpalli pavarësinë nga Beogradi. Nuk mund të pritet më shumë nga ajo qeveri që shpalli pavarësinë 6 muaj pasi u shpartallua Federata e Jugosllavisë.

Çfarë e pengon Maqedoninë të njohë pavarësinë e Kosovës?

Maqedonia tenton të zhvendosë vëmendjen me pseudo-probleme dhe të krijojë iluzione se, duke respektuar disa çështje që lidhen me to, do të arrijë të neutralizojë politikën antishqiptare. Autoritetet e Maqedonisë kanë vepruar në këtë mënyrë, që nga themelimi si republikë e deri sot. Disa herë, gjuha shqipe është ndaluar të përdoret, çështja e flamurit dhe tani çështja e vizave imponojnë të njëjtën logjikë. E njëjta gjë po ndodh edhe me pavarësinë. Nesër Thaçi do të tentojë ta konsiderojë si rezultat të vetin.

Atëherë, sipas jush, kur pritet ta njohë Maqedonia pavarësinë e Kosovës?

Nëse autoritetet nuk kanë lidhje me Shërbimet Sekrete Serbe, do ta njohin shumë shpejt, sepse në nivelin politik ka vakum institucional në Serbi.

Sipas jush, kanë lidhje me shërbimet sekrete?

Mendoj se po.

A ka vend për Thaçin në qeveri, nëse Maqedonia nuk e njeh pavarësinë?

Kur fola për zhvendosjen e vëmendjes në pseudo-probleme kisha për bazë pikërisht këtë element, sepse Thaçi është në qeveri për të realizuar një numër projektesh të premtuara elektoratit. Sepse, vërtet Maqedonia po kalon një situatë tepër të vështirë. Edhe pas 7 vitesh të përfundimit të luftës, nuk është ndërtuar paqja dhe elektoratit i është premtuar se çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe do të jetë çështje që realizohet për 60 ditë. Kemi hyrë në vitin e dytë të bashkëqeverisjes e as që mund të flitet për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Po vihet çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës si kusht për të mbetur në qeveri. Është një truk i ulët për të arsyetuar prezencën në qeveri, se gjoja, ja më në fund Gruevski pranoi diçka. Vetëm gjatë muajit shkurt kemi mbi 150 milionë euro të investuara nga jashtë në Maqedoni dhe të gjitha, pa përjashtim, janë investuar në Maqedoninë Lindore, ku nuk ka shqiptarë. Mandej, edhe me ndihmat që vijnë nga jashtë shënohet e njëjta metodë. Është shembulli më skandaloz ai i 21 autoambulancave të ofruara Maqedonisë nga Japonia me një aparaturë moderne. Dhe të gjitha, ministri shqiptar i PDSH-së shkon dhe i shpërndan në qytete ku nuk ka shqiptarë. Diskriminimi është në çdo pore të jetës shoqërore.

Nisur nga ky diskriminim, sikurse po thoni, a po shkon Maqedonia drejt ndarjes?

Qasjet proserbe janë të interesuar të krijojnë një precedent, me qëllim që të arsyetohet kompensimi gjeografik i hartës së Ballkanit. Shqiptarëve, në këtë fazë, nuk u intereson të hyjnë në logjikë të ndarjes. Ndarjet i përkasin një mentaliteti të vjetër. Në këtë kontekst, është me rëndësi të hiqet logjika e diskriminimit, por të jemi në një pozicion të barabartë.

Sipas informacioneve që qarkullojnë në Shkup, ka një lloj influence të Bullgarisë që e shtyn Maqedoninë drejt procesit të ndarjes. Sa të vërteta janë këto?

Influencat e ndarjes janë dominante. Mendimi im është se në këtë fazë që po kalon Ballkani Perëndimor nuk është në interes të shqiptarëve të hyjnë në ndarje. Interesi i shqiptarëve është të forcohet Kosova dhe Shqipëria, të integrohen këto pjesë në strukturat euroatlantike, të integrohet edhe Maqedonia në to.

Po pse kjo periudhë e rëndësishme i ka gjetur kaq të përçarë shqiptarët në Maqedoni?

Shqiptarët në Maqedoni nuk janë të përçarë. Bartësit e partive politike janë të përçarë, si çdokund, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Nuk dëshiroj të bëj spekulime, të them sa dorë kanë shërbimet e huaja apo Beogradi në këtë përçarje, por do të tentoj të krijojmë një hapësirë politike, ku të ri-rreshtohet potenciali intelektual, profesional dhe patriotik drejt një aspirate. Cila do të jetë forma e konkretizimit, nuk e di. Ajo që mund të them në këtë fazë është se nuk mund të pranojmë formën unitare të shtetit të Maqedonisë, që nuk është adekuate për të integruar diversitetin etnik dhe linguistik në sistem. Duhet të rishikohet, cilado të jetë forma: kantonizim, federatë apo autonomi rajonale. Këto janë mjetet. Nuk mund të jenë qëllimet e një partie politike. Është një paradoks "sui generis", që maqedonasit synojnë të integrohen në Bashkimin Evropian, ku diversiteti linguistik respektohet jashtëzakonisht shumë.

A e shikoni veten së afërmi në një tryezë të rrumbullakët me partitë e tjera të rëndësishme shqiptare, pas thellimit të krizës së raporteve të faktorit politik shqiptar në Maqedoni?

Ne si parti politike kemi apeluar në mënyrë të vazhdueshme që të marrim qëndrime të përbashkëta në lidhje me çështje të caktuara, e që lidhen me interesat jetike të shqiptarëve.

Atëherë, cila është pengesa?

Momentalisht është PDSH-ja, e cila është ngulfatur dhe privatizuar.

Ǒraporte keni me Ali Ahmetin, kryetarin e BDI-së?

Nuk kemi raporte, nuk komunikojmë. Në periudhën kur ishte Ali Ahmeti në pushtet, gjatë katër viteve të bashkëqeverisjes LSDM-BDI, numërohen mbi 500 shqiptarë të plagosur, 118 djem të vrarë në mënyrë misterioze. Kam qenë përkrah Xhaferrit dhe Thaçit gjatë gjithë fushatës elektorale 2006. Ata i premtuan popullit të ndriçojnë të gjitha vrasjet dhe në vend të ndriçimit të atyre vrasjeve kemi akumulimin e vrasjeve. Kemi premtuar se gjatë mandatit LSDM-BDI ka pasur shqiptarë, të cilët janë akuzuar mbi motive politike, rastin e Sopotit ku shqiptarët janë rrahur dhe keqtrajtuar e janë detyruar të nënshkruajnë aktakuza për vepra që nuk i kanë kryer. Ndërsa në vend të lirimit të tyre, sot kemi para syve montimin e procesit të të pafajshmeve të Brodecit, ku njerëzit janë rrahur për vdekje, vetëm që t‘i pranojnë veprat për të cilat akuzohen.

Nuk ka vend për optimizëm mes partive politike shqiptare atje?

Çështja e optimizmit te shqiptarët për mua lidhet tek një qasje e re e politikës së mobilizimit. Kemi interesa jetike. Sot ndodhemi para një konteksti, ku Kosova si shtet duhet të forcohet dhe 99.99% e shqiptarëve kanë një mendim: Janë që kjo pavarësi të forcohet. Në Maqedoni ka liderë që tentojnë ta pengojnë këtë.

Sa e fortë është influenca e Tiranës dhe ajo e Prishtinës mbi partitë shqiptare në Maqedoni?

Ne e kemi për obligim të komunikojmë në interes edhe të stabilitetit rajonal, por edhe të një komunikimi ndërshqiptar. Influencë ka reciprokisht. Në asnjë rast nuk mund ta shoh se dikush dëshiron të luajë një rol paternalist. Askush nuk e do këtë rol, por akuza ndaj Shqipërisë për paternalizëm është e njohur për 30 vite rresht nga autoritetet e Beogradit. Shqipëria ka luajtur një rol pozitiv si para luftës, ashtu dhe më vonë, një rol në interes të të gjithë shqiptarëve.

Maqedoni

Akuza të ndërsjella

politike për Kosovën

BDI-ja akuzoi se për shkak të PDSH-së Maqedonia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, bashkë me shtetet e tjera të rajonit, Kroacinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Por, nga PDSH-ja thanë se nuk merren me këto deklarata, të cilat erdhën në kohën kur kjo parti nuk shkoi për një vizitë në Prishtinë e thirrur nga krerët e lartë shtetërorë atje. Rivaliteti mes partive shqiptare në Maqedoni ka filluar të shfaqet edhe në Kosovë. Ndonëse që të gjitha pa përjashtim angazhohen në përkrahje të saj dhe thonë se Maqedonia duhet ta njohë sa më shpejt.

Rafiz Aliti i BDI-së akuzoi se Kosova nuk u njoh nga Maqedonia për shkak të PDSH-së. "Pavarësia e Kosovës ishte paraparë që të njihet nga ana e Republikës së Maqedonisë bashkë me shtetet e rajonit, Kroacinë, Bullgarinë dhe Hungarinë. Kjo nuk ndodhi për shkak të veprimeve të pamatura të partnerit shqiptar në koalicionin qeveritar të PDSH-së. Ajo shkaktoi këtë krizë në momentin më të pavolitshëm për shtetin e Kosovës", tha Rafiz Aliti.

Pavarësia e Kosovës ishte paraparë që të njihet nga ana e Republikës së Maqedonisë bashkë me shtetet e rajonit, Kroacinë, Bullgarinë dhe Hungarinë. Kjo nuk ndodhi për shkak të veprimeve të pamatura të partnerit shqiptar në koalicionin qeveritar të PDSH-së...

Zëdhënësi i PDSH-së, Adriatik Imeri, i tha BBC-së se partia e tij "nuk do të merrej me këto deklarata". Kurse ato nuk u komentuan as nga qeveria. Por erdhën në kohën kur PDSH-ja nuk shkoi në një takim të thirrur nga krerët e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, tha se në Kosovë nuk kishte shkuar për shkak të obligimeve që ka pasur. Një ditë më herët ai u shpreh kritik për takimin. "Kam punë shumë më të rëndësishme se sa të merrem me takime qesharake e të fëlliqura politike. Njohja e pavarësisë së Kosovës duhet të ndodhë në Shkup, jo në Prishtinë. Prishtina është një marketing qesharak i palejueshëm, i turpshëm për shqiptarët", tha ai.

Kjo retorikë akuzuese mes partive shqiptare në Maqedoni, por edhe në raportet e PDSH-së me zyrtarët në Kosovë vijnë edhe në kohën kur Maqedonia dhe Kosova do të duhet që të fillojnë procesin për shënimin e kufirit mes dy vendeve. Kjo është e vetmja çështje e hapur, por që konsiderohet edhe delikate. Zëdhënësi i qeverisë, Ivica Bocevski, thotë se kjo do të ndodhë shumë shpejt. "Ne presim që së shpejti të krijohet komisioni i përbashkët për të shënuar kufirin e përbashkët në përputhje me atë që është parashikuar në planin e Presidentit Ahtisari", tha zëdhënësi Bocevski.

Mediat dhe vëzhguesit thonë se partitë politike duhet t‘i lënë kapriçiot anash në këto momente të brishta për rajonin dhe të angazhohen për konstruktivitetet. Kjo, aq më tepër se të gjithë subjektet politike shqiptare në Maqedoni kanë një qëndrim për Kosovën.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›