Këshilli Mbikqyrës i BSh-së do të miratojë javën e ardhshme politikën monetare

Banka e Shqipërisë (BSH) do të marrë javën e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj, vendimin mbi politikën monetare për 3-mujorin e parë të vitit 2009, ku një nga elementët kryesorë do të jetë shqyrtimi për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit që aktualisht është në nivelin 5.75 për qind. Sipas burimeve të BSH-së, gjatë kësaj mbledhjeje, vend kryesor do të zërë dhe diskutimi "Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë muajve parë të vitit 2009 përballë krizës financiare ndërkombëtare". Banka e Shqipërisë, në misionin e saj, mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e BSH-së do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj. Burime nga BSH-ja bënë të ditur se sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza ndërkombëtare, megjithatë ajo dhe stukturat e saj kanë rritur vigjilencën ndaj aktivitetit bankar në vendin tonë. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillimet në javët në vijim, bënë të ditur burime nga BSH-ja. Ndërkohë në axhendën e punimeve të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, është parashikur të diskutohet edhe informacioni "Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit 2009".
...